Pentagoni: Grupe të mëdha dronësh mund të menaxhohen nga një person i vetëm

Amerika

Pentagoni: Grupe të mëdha dronësh mund të menaxhohen nga një person i vetëm

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 19:27
Foto ilustrim

Ushtria amerikane thotë se grupe të mëdha dronësh dhe robotësh mund të menaxhohen nga një person i vetëm pa stres të shtuar për operatorin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh, kjo teknologji mund të jetë e dobishme edhe për përdorim nga popullata civile.

Eksperimentet në terren në një strukturë stërvitore qeveritare tregojnë se një njeri i vetëm mund të menaxhojë një tufë prej 100 ose më shumë dronësh autonomë dhe robotësh autonomë, pa shtuar ngarkesën për operatorin, sipas Agjencisë Kërkimore të Departamentit të Mbrojtjes, DARPA.

"Komandanti i Tufës" përdor një platformë të realitetit virtual për të dislokuar dhe monitoruar automjetet brenda një mjedisi të simuluar me 10 blloqe.

Misioni i tyre është fluturimi në mjedise urbane, duke shmangur pengesat dhe linjat elektrike për të mbledhur informacione zbulimi.

"Komandanti i tufës në thelb përmes një butoni të vetëm mund të kontrollojë lëvizjet taktike të grupit të dronëve, duke u dhënë atyre urdhra për të bërë veprime të caktuara", thotë Julie A. Adams nga Universiteti Shtetëror i Oregonit

Gjetjet tregojnë se ka një potencial të përdorimit të grupeve të dronëve për qëllime ushtarake dhe civile, si përdorimi i tyre për monitorimin e fatkeqësive natyrore.

“Qëllimi afatgjatë është në fakt të jemi në gjendje të krijojmë ekipe heterogjene robotësh, që punojnë së bashku me ekipe njerëzish, për operacione si lufta kundër zjarreve dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Pra, ky do të kishte një ndikim vërtet pozitiv për shoqërinë, duke përdorur robotët për funksione që mund të jenë të rrezikshme për njeriun. Për shembull, përdorimi i dronëve në situata të vështira, si kontrollimin e zjarreve apo fatkeqësi të tjera nga ekipet e kërkim-shpëtimit", thotë ekspertja Julie Adams.

Dronët mund të përdoren dhe në fakt ata tashmë po përdoren për dërgesa më të shpejta postare.

"Aktualisht, rregulloret e Administratës Federale të Aviacionit kufizojnë numrin e mjeteve, që mund të mbikëqyren nga një individ i vetëm, dhe në të ardhmen, ne do të dëshironim që të jemi në gjendje ta rrisim numrin që i lejohet një individi të vetëm", thotë ekspertja Julie Adams.

Programi është ende në zhvillim, por studiuesit thonë se gjetjet e tij mund të kenë së shpejti ndikim edhe në vende të tjera, përveç Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat