Raporti: Urrejtja dhe ekstremizmi në rritje në prag të zgjedhjeve në SHBA

Amerika

Raporti: Urrejtja dhe ekstremizmi në rritje në prag të zgjedhjeve në SHBA

Më: 8 qershor 2024 Në ora: 20:31
Foto ilustrim

Një raport i publikuar të martën thotë se urrejtja dhe ekstremizmi në Shtetet e Bashkuara u rritën në vitin 2023, me një numër rekord të nacionalistëve të bardhë dhe grupeve anti-LGBTQ+, që po përpiqen të minojnë demokracinë gjithëpërfshirëse të vendit.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, kjo rritje e urrejtjes dhe ekstremizmit mund të ketë ndikim në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Komuniteti LGBTQ+ ishte një nga objektivat kryesore të urrejtjes dhe ekstremizmit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2023, sipas një raporti të publikuar të martën nga organizata “Southern Poverty Law Center”.

Studiuesit thonë se retorika e mbushur me urrejtje dhe teoritë antiqeveritare të konspiracionit ndikuan negativisht tek emigrantët dhe pakicat.

“Ekstremistët dhe ata që kundërshtojnë demokracinë gjithëpërfshirëse, e kaluan vitin e kaluar duke legjitimuar protestat e 6 janarit 2021, duke e konsideruar urrejtjen si të virtytshme dhe duke i transformuar teoritë e konspiracionit në histori të zakonshme. Mendoj se të gjitha këto veprime janë në përgatitje për zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”, thotë R.G. Cravens nga organizata “Southern Poverty Law Center”.

835 grupe anti-qeveritare ishin aktive vitin e kaluar, një rritje në krahasim me një vit më parë, kur ekzistonin 702 grupe të tilla. Raporti zbuloi se numri i grupeve aktive të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara u rrit në 595 vitin e kaluar, nga 523 që ekzistonin në vitin paraprak.

Zoti Cravens thotë se grupet po lëvizin në sferën politike me një qëllim specifik.

“Ato synojnë kufizimin e pluralizmit dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike. Kjo është një përpjekje për të kufizuar vetë demokracinë”, thotë R.G. Cravens nga organizata “Southern Poverty Law Center”. Presidenti amerikan Joe Biden thotë se ai është kandidati i vetëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, që mund të frenojë një rritje të retorikës së mbushur me urrejtje.

"Unë nuk do të lejojë që Donald Trumpi ta kthejë Amerikën në një vend që nuk beson në ndershmërinë, mirësjelljen dhe trajtimin e njerëzve me respekt. Nuk do ta lejojë atë ta kthejë Amerikën në një vend të mbushur me zemërim, pakënaqësi dhe urrejtje", tha Presidenti Biden.

Donald Trump, i cili pritet të jetë kandidati presidencial i republikanëve, shkaktoi polemika në kohën kur ishte president pasi ai fajësoi të dyja palët për përplasjet e dhunshme në një tubim të nacionalistëve të bardhë në vitin 2017 në Sharlotsvill të Virxhinias, që u shoqëruar me një kundër protestë.

Gjatë protestës, një supremacist i bardhë hyri me makinë mes një grupi protestuesish, duke vrarë një grua dhe duke plagosur më shumë se 30 të tjerë.

Presidenti i atëhershëm Donald Trump gjatë një fjalimi mbi këtë protestë tha se incidenti ishte një "shfaqje e jashtëzakonshme e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga shumë palë".

Zoti Trump ka mbajtur anën e grupeve që kanë udhëhequr përpjekjet për ndalim të librave si “Moms for Liberty”, të cilin organizata “Southern Poverty Law Center” e renditi sërish në vitin 2023 si një “grup ekstremist anti-qeveritar” që kundërshton arsimin gjithëpërfshirës.

"E majta radikale po shpif madje edhe për grupin “Moms for Liberty”, duke e shpallur atë grup urrejtjeje. A mund ta imagjinoni këtë?", tha ai.

“Moms for Liberty” refuzoi kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë.

Ekspertët thonë se kandidatët duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me retorikën e tyre dhe duhet të eliminojnë çdo potencial për dhunë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit.

“Zoti Biden duhet të vazhdojë të jetë i pranishëm dhe të flasë për paqen, por edhe mbi rëndësinë e votimit në përgjithësi. Për sa i përket ish-Presidentit Trump, ai është në një pozitë të ndërlikuar, sepse ai me siguri fiton më shumë mbështetje kur përdor këtë gjuhë ekstremiste. Por, ai gjithashtu po përjashton segmente të popullatës që do të mund të votonin për të”, thotë Teal Rothschild nga Universiteti Roger Williams.

Ekspertja Teal Rothschild gjithashtu thotë se votuesit duhet të kenë kujdes nga teoritë konspirative në mediat kryesore dhe ato sociale, që mund të nxisin më tej urrejtjen dhe ekstremizmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat