Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Aktuale

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 13:27
Pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës gjatë ceremonisë së diplominmit, Prishtinë, prill 2024.

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Reagimi pasoi raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, kërkesës për koment nuk iu përgjigjën as në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aty, po ashtu, theksohet se Policia e Kosovës i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.

Në një deklaratë për media, të lëshuar më 30 gusht, Ambasada amerikane tha se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit - zonë e banuar me shumicë serbe - me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.

“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat