ZPS për dëshmitarin e 91-të: U keqtrajtua nga pjesëtarët e UÇK-së dhe pa keqtrajtimin e një viktime të vrasjes

Aktuale

ZPS për dëshmitarin e 91-të: U keqtrajtua nga pjesëtarët e UÇK-së dhe pa keqtrajtimin e një viktime të vrasjes

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 11:41
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë sot ka filluar dëshminë dëshmitari i 91-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04669 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për atë në seancë private i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, ky dëshmitar më 1999 ishte arrestuar nga pjesëtarët UÇK-së, ku edhe ishte keqtrajtuar. Po ashtu, theksoi se kishte parë keqtrajtimin e një viktime të vrasjes.

“Në vitin 1999 dëshmitari 04669 është arrestuar na disa pjesëtarë të UÇK-së dhe është dërguar në një kompleks të UÇK-së. Atje, dëshmitari 04669 është keqtrajtuar, është marrë në pyetje dhe është mbajtur në kushte çnjerëzore. Ai, gjithashtu ka parë me sytë e vet keqtrajtimin e një viktime vrasjeje dhe ka dëgjuar rrahjet e disa personave të tjerë të mbajtur të ndaluar bashkë me atë”, tha prokurori, duke kërkuar më pas seancë private për pyetjet e radhës.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë. Nga kjo kohë, një orë janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, ndërsa mesatarisht rreth dy orë për ekipet mbrojtëse.

Gjithashtu, Smith III tha se pyetje për dëshmitarin do të ketë edhe mbrojtësi i viktimave. Pas ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave, mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokates, Shyamala Alagendra tha se ata do të jenë të parët që të do të fillojnë me pyetje.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Hashim Thaçit, i cili po e përcjellë përmes video-lidhjes. Gjithashtu, virtualisht është prezent edhe gjyqtari Fergal Gaynor.

Smith gjithashtu tregoi se ka ndryshime edhe në orarin e sotëm të seancës. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë në orën 13:00 deri në orën 14:00 për të vazhduar më pas me seancën e dytë deri në ora 15:00, gjithnjë me 45 minuta vonesë në transmetim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat