Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot ka filluar dëshminë dëshmitari i 91-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet atij po i bëhen në seancë private nga prokurori Cezary Mihailzcuk.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, ky dëshmitar më 1999 ishte arrestuar nga pjesëtarët UÇK-së, ku edhe ishte keqtrajtuar.
“Në vitin 1999 dëshmitari është arrestuar nga disa pjesëtarë të UÇK-së dhe është dërguar në një kompleks të UÇK-së. Atje, dëshmitari është keqtrajtuar, është marrë në pyetje dhe është mbajtur në kushte çnjerëzore. Ai, gjithashtu ka parë me sytë e vet keqtrajtimin e një viktime dhe ka dëgjuar rrahjet e disa personave të tjerë të mbajtur të ndaluar bashkë me atë”, ka theksuar prokurori.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë. Nga kjo kohë, një orë janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, ndërsa mesatarisht rreth dy orë për ekipet mbrojtëse. Smith III ka thënë se pyetje për dëshmitarin do të ketë edhe mbrojtësi i viktimave.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Hashim Thaçit, i cili po e përcjellë përmes video-lidhjes. Gjithashtu, virtualisht është prezent edhe gjyqtari Fergal Gaynor.