Pa u bërë as një javë pasi u ndalua, Sinisa Nedeljkoviq, i dyshuari për prodhim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje, ndaj të cilit ishte aktive masa e dorëzanisë në vlerë 30 mijë euro, tentoi ta lëshojë Kosovën. Por, ai u kap nga Policia Kufitare dhe u ndalua me urdhër të prokurorit, ndërsa dje ka dalë para Gjykatës.
Me aktvendim të gjykatës, është hequr masa e dorëzanisë dhe është caktuar që vlera e mjeteve të derdhet në Fondin për Kompensimin e Viktimave.
Siç merr vesh media, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndryshe, Nedeljkoviq u ndalua nga Policia në pikën kufitare në Jarinje, pasi tentoi ta kalojë kufirin, për në drejtim të Serbisë.
Më 17 shtator, Gjykata fillimisht e kishte refuzuar kërkesën Prokurorisë Speciale për paraburgim dhe si masë për ta siguruar prezencën e tij në procedurë penale i kishte shqiptuar masën e dorëzanisë në vlerë 30 mijë euro.