Tre pjesëtarët e arrestuar në Banjskë që u paraqitën sot para trupit gjykues në Prishtinë, mund të përballën me dënim me burgim të përjetshëm. Kështu thonë njohësit e ligjit në Kosovë. Ndërsa ekspertët e sigurisë thonë se dënimi i merituar për kryesit e veprave terroristë, do të ishte mesazhi më i mirë.
Në këtë formë, përfundoi seanca fillestare e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në gjykatore, para trupit gjykues, u paraqitën tre persona të nacionalitetit serb.
Këta bashkë me 42 të tjerë, ishin pjesë e grupit terrorist serb në sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Seanca e re u caktua më 9 tetor, ku tre të pandehurit do të sillën përsëri në gjykatore.
Por, cili është dënimi që i pret të akuzuarit?
“Natyrisht që janë vepra jashtëzakonisht të rënda, përfshihen veprat terroriste dhe në referencë të kësaj shkalla e ndëshkimit për këto vepra parashihet me burgim jo më pak se 15 vjet, por mund të shkojë edhe me burgim të përjetshëm”, shprehet avokati Ardian Bajraktari.
E sipas Prokurorisë Speciale, përvec Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, pjesë e akuzës janë edhe 42 persona të tjerë të grupit të udhëhequr nga Milan Radojqiq.
Nëse mund t’i gjykojë në mungesë, Themelorja është në pritje të opinionit nga Gjykata Supreme.
“Sot u tha që do të kërkohet një mendim i Gjykatës Supreme, vlerësoj që do duhej prokuroria që të jetë më e vëmendshme në drejtim të përcaktimit të qartë të veprave penale dhe të mos vijmë në këtë situata, mirëpo megjithatë duhet ta presim opinionin e Gjykatës Supreme me mundësinë ose jo të zhvillimit të gjykimit në mungesë”, tha ai.
Ndërkohë, eksperti i sigurisë thonë se një dënim i merituar, do të ishte mesazhi më i mirë.
“Është shumë e rëndësishme që ka filluar procedura për gjykimin e tyre, kjo përçon një mesazh gjithashtu për ata që mendojnë që në të ardhmen të kryejnë prapë aksione të tilla terroriste, ky ka qenë një aksion puro terrorist, bazuar në parametrat e asaj që vlerësohen si akte terroriste”, thotë Hysen Gecaj.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Speciale, ngarkon 45 të akuzuarit, me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.