Largimi i mjekëve nga Kosova për deputetët opozitarë përbën fakt brengosës.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se mjekët po largohen për shkak të pagave e kjo nuk po pëson ndryshime, pavarësisht largimeve nga puna.
“Ky numër i ikjes së mantelbardhëve është brengosës për ne si opozitë. Nuk po mendohet për me u rritë paga e mjekëve se kryesisht për paga e kushte të punës po ikin jashtë vendit”, u shpreh Dreshaj.
Deputeti Dreshaj ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se s’po ndërmerr asnjë veprim për përmirësimin e kushteve për profesionistët shëndetësor.
“S’ka asnjë iniciativë nga Qeveria për përmirësimin e kushteve për punësim për mjekët”, deklaroi Dreshaj.
Në Kosovë, paga e një mjeku specialist sipas Ligjit për Paga arrin në 1260 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.