Agim Bahtiri, ish-kryetar për dy mandate i Mitrovicës së Jugut, ka folur për urën mbi Ibër në Mitrovicë, si një prej çështjeve që ka zgjuar vëmendje kohëve të fundit, jo vetëm brenda vendit, por edhe në sferën ndërkombëtare.
Megjithatë KFOR-i, ka reaguar përmes një deklarate duke bërë të qartë se kjo çështje duhet arritur përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ai tha se ura mbi Ibër simbolizon ndarjen e qytetit. “Kjo është e vërteta, për atë është problem për t’u hapur për arsye se në trurin e serbëve është vendosur CD ku thuhet se ajo pjesë duhet të jetë kufiri mes Kosovës e Serbisë”, deklaroi Bahtiri, derisa shtoi se kjo ide ka gjetur mbështetje edhe në Serbi.
Tutje Bahtiri tha se serbët lokalë në mbështetje të Serbisë dhe në bashkëpunim me KFOR-n francez kanë kërkuar që Ura mbi lumin Ibër të jetë kufiri mes Kosovës e Serbisë, teksa vuri në pah kohën e pasluftës ku nga pjesa veriore e Mitrovicës, në praninë e disa forcave të KFOR-it francez janë vrarë disa qytetarë dhe janë dëbuar mbi 12 mijë.
“Nuk di nëse Parisi zyrtar e mbështetë apo s’e mbështetë, por parimisht them se në prani të ushtarëve francezë janë vrarë dhe janë dëbuar njerëz. Se kush ka bërë lëshim, nuk e di, por në një situatë të tillë që të mos përgjigjen për t’i mbrojtur qytetarët në veri, kjo është e tmerrshme”, deklaroi Bahtiri, duke shtuar se roli i KFOR-it francez nuk ka qenë objektiv, nën arsyetimin, siç u shpreh ai, për shkaqe sigurie.
Bahtiri bëri të ditur se këmbëngulësia e qytetarëve të 6 fshatrave të pjesës veriore ka bërë që të qëndrojnë në trojet e tyre, sikundër u shpreh ai: “Ose të qëndrojmë ose të shpërngulemi nga trojet tona”. Për këtë Bahtiri falënderoi KFOR-n danez që i mbështeti kërkesat dhe qëndrimet e tyre.
Më tej, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, foli për nisjen e procesit për hapjen e Urës mbi Ibër, përmes dialogut ën Bruksel, më 2015, ku, sipas Bahtirit, atje është kërkuar nga ndërmjetësit e BE-së dhe nga Serbia që kufiri administrativ mes dy komunave të jetë Ura mbi Ibër.
Ai përmendi kohën kur ishin marrë vesh që të lëshohej edhe ura për qarkullim, por që nuk u arrit të bëhej, ngase sipas tij kërkohej që Suhodolli të futej në pjesën e veriut, gjë e cila u refuzua nga ana e tij.
Tutje ish-kryetari tha se për caktimin e urës si simbol i ndarjes kanë qenë disa qarqe që kanë qenë të interesuar të bëhet ndarja e vendit, duke përmendur, mes tjerash edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, për të cilin tha i kishte thënë personalisht Bahtirit se është për ndarjen e Kosovës.
“Qëllimi i ndarjes së Kosovës ka qenë në kohën kur është dashur të lëshohej ura, sepse pikërisht në këtë kohë kanë qenë negociatat për ndarjen e Kosovës. Kjo më është thënë personalisht nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më pati thënë se është një plan që mundëson të largohemi një herë e përgjithmonë nga kthetrat e Serbisë dhe ta përfundojmë një herë e përgjithmonë procesin me Serbinë ”, deklaroi ai, derisa shtoi se ishte i vetmi njeri që ka shkuar zyrtarisht në Luginë të Preshevës për të parë se si mund të rrjedhë procesi i këmbimeve të territoreve.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, tha se në atë kohë kishte njoftuar se plani për këmbimin e territoreve do të prishej prej tij.
“I kam thënë Hashim Thaçit se tërmetin e këtij plani do të keni në Mitrovicë”. Bahtiri më tej tha se ndalimi i rrugëtimit të ish-presidentit Thaçi për në SHBA është bërë për ta penguar siç tha ai, ndarjen e Kosovës.
Bahtiri mes tjerash tha se nga vizita e tij në Luginë të Preshevës ka kuptuar se plani i ndarjes së Kosovës nuk guxon të ndodhë.
“Nga kjo vizitë atje kuptova se ndarja e Kosovës nuk guxon të ndodhë, sepse veriu përfshin mbi 17% të territorit, dhe pasuria e veriut është më e vlefshmja në gjithë territorin”, tha Bahtiri.
Ai tha se Ura mbi Ibër nuk rrezikon askënd. Hapjen e urës e dëshiron i gjithë populli dhe do t’i shërbejë, siç tha ai, gjithë qytetarëve, teksa bëri të ditur se për hapjen e urës marrëveshja është e kryer, raporton televizioni publik.