Drejtori i RTK-së e arsyeton publikimin e lajmit

Aktuale

Drejtori i RTK-së e arsyeton publikimin e lajmit

Më: 24 korrik 2024 Në ora: 22:45
RTK

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj kritikave për transmetimin e një artikulli nga mediumi boshnjak “Bosna e Lirë”, ku dy media online në Kosovë akuzohen për kontroll nga Serbia.

Gërvalla ka mbrojtur vendimin e RTK-së për të përcjellë lajmin në mediumin e tyre, duke e theksuar rëndësinë e parimeve bazë të gazetarisë dhe detyrës profesionale për të informuar publikun.

“’Bosna e Lirë’ njihet si medium serioz. RTK përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën. Gjykoj se këtu nuk kishte motiv objektiv për të censuruar lajmin e një mediumi serioz,” ka shkruar Gërvalla.

Ai ka theksuar se censurimi i lajmit do të ulte besueshmërinë e RTK-së dhe se media publike duhet të qëndrojë neutrale, duke informuar publikun pa marrë parasysh pasojat.

Gërvalla ka njoftuar se Bordi i RTK-së dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-së do të krijojnë një komision “ad hoc” për të shqyrtuar vendimin e transmetimit të lajmit.

Ai ka theksuar se RTK-ja nuk mund të veprojë si një medium që shmang debatet dhe që ec në majë të gishtërinjve për të mos trazuar askënd.

“RTK nuk mund të bëhet mediumi i ankthshëm, që ec në majë gishtërinjsh për të mos trazuar askënd. Nuk mund të qëndrojë si status quo-ja. As nuk mund të shuhet jashtë zhvillimit të lajmit,” ka shkruar Gërvalla, duke shprehur bindjen se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe standardet etike të gazetarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat