Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka lajmëruar mërgimtarët se kushdo që për arsye të ndryshme ka qenë i detyruar të hiq dorë nga shtetësia e Kosovës, mund ta rikthejë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.
Sipas saj, rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik, por lidhet edhe me shumë të drejta.
“Të dashur mërgimtarë, Të gjithë ju që për arsye të ndryshme keni qenë të detyruar të hiqni dorë nga shtetësia e Kosovës, mund ta riktheni atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.
Rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik. Ai lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t'u votuar.
Kosova ka nevojë për ju”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo tutje, ka bërë thirrje për aplikim sa më shpejt.
“Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka shtuar ministrja.