Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, e ka vlerësuar vendim të mirë atë të Qeverisë së Kosovës që pronat e Milan Radoiçiqit të konfiskuara t’i kalojnë Policisë së Kosovës.
Morina ka thënë se ajo pjesë ka një pozitë të mirë strategjike dhe se kjo do të ndikojë që të ulën veprimtaritë e grupeve të organizuara terroriste.
“Është një pjesë strategjike e Liqenit të Ujmanit dhe vendosja e policisë aty në një mënyrë ose në tjetrën minimizon grupet terroriste , grupe të organizuara qoftë nga jashtë nga Serbia apo brenda dhe kështu do të jetë një përcjellje e vazhdueshme e mirë. Dhe dhënia në shfrytëzim është e mirëseardhur për Policinë e Kosovës”, ka thënë Morina.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës sidomos në veri është përballur me kushte jo të mira infrastrukturore dhe këto tash do të kenë efekt edhe më të mirë në punën e PK-së.
Policia e Kosovës kishte konfiskuar pronat e Radoiçiqit i cili ishte udhëheqës i grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë.