Gjykata vendos: ‘Curri’ të arrestohet, 50 mijë eurot e dorzanisë i merr shteti

Aktuale

Gjykata vendos: ‘Curri’ të arrestohet, 50 mijë eurot e dorzanisë i merr shteti

Më: 24 korrik 2024 Në ora: 17:08
Ismet Osmanit-Curri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka rivendosur pas kërkesës së Apelit. Përsëri, si në herën e parë, ka marrë vendim që për mos-prezencë në gjykimin për fajde, Ismet Osmanit-Currit t’i lëshohet urdhër-arrest, dhe paratë dorëzani prej 50 mijë eurosh të dërgohen tek shteti-fondi i viktimave.

Ismet Osmani, bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.

Përveç këtij rasti, “Curri” dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në qytetin e Graçanicës, të të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili.

Kjo edhe ishte arsyeja pse ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest tjetër.

“Andaj gjykata në rastin konkretë në kuptim të nenit 180 te KPPRK-së, duke u bazuar ne arsyet e lartcekura, ka gjetur se janë plotësuar kushtet ligjorë që të hiqet dorëzania dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së të njëjtit gjykata do të vepron konform dispozitave te KPPR-së. Tani për tani përveç urdhër arrestit PPRKR.nr.89/24 të datës 16.05.2024, i cili është aktiv, edhe në ketë çështje penale është lëshuar Urdhërarrest dt.17.07.2024″, thuhet në vendimin e gjykatës që mban datën 22 korrik.

Si ndodhi rasti?

Fillimisht, Gjykata Themelore e kishte revokuar dorëzaninë dhe kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Osmanit, pasi që kishte munguar në seancën e 1 korrikut 2024.

Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje, me arsyetimin se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të nenit 384, par.1 të KPPRK-së, ngase shkalla e parë duke vendosur lidhur me masën e paraburgimit ndaj Osmanit, nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi dhe nuk ka respektuar procedurat e parapara për caktimin e paraburgimit në raste të tilla. Sipas Apelit, nuk janë analizuar drejt dhe në hollësi raportet shëndetësore të të akuzuarit.

Ndërkohë, me 22 korrik të këtij viti në vendimin që e ka siguruar Insajderi, thuhet se gjykata nuk ka pranuar asnjë kërkesë për shtyrje të seancës siç pretendohet nga mbrojtja në ankesë se Gjykatën e ka njoftuar me datën 19 qershor 2024 për gjendjen shëndetësore të Osmanit.

Gjithashtu, Themelorja duke u referuar në të gjeturat e Apelit për caktim të masës së paraburgimit në harmoni me dispozitat ligjore, në këtë çështje penale, tani (më 17 korrik 2024) ka lëshuar urdhërarrest ndaj Osmanit.

Kurse, lidhur me të gjeturat e Apelit se shkalla e parë nuk i ka analizuar drejt dhe në hollësi raportet mjekësore, thekson se nuk i kishte në posedim por që të njëjtat ishin bashkëngjitur nga mbrojtja në ankesën drejtuar në Apel. Andaj, vetëm pas kthimit të çështjes në rivendosje i ka në posedim raportet mjekësore të Osmanit, të cilat nuk janë në gjuhën zyrtare që autoritetet tona e përdorin.

“Për më tepër kësaj gjykate nuk i është prezantuar ndonjë Raport konkret mjekësor me te cilën vëretetohet se gjendja shëndetësore e tij, nuk lejon të marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor apo se gjendet në pushim mjekësor”, thuhet në aktvendimin e Themelores.

Themelorja potenconte se Osmani ka qenë në dijeni për pasojat në rast të mosrespektimit të masës së dorëzanisë. Po ashtu, thuhet se i akuzuari ka qenë i njoftuar për detyrimin për ta njoftuar gjykatën në rast të ndryshimit të adresës.

Aty thuhet se Osmani nuk e ka njoftuar gjykatën se po merr trajtim jashtë vendit dhe se ku gjendet, me qëllim që të jetë i arritshëm për gjykatën.

Pas kthimit të fletë-kthesës, gjykata më 27 maj ka lëshuar urdhëresë për Stacionin Policor në Graçanicë që Osmanit personalisht t’i dorëzohet ftesa për seancë. Mirëpo, nga ky stacion gjykata më 1 korrik në ora 10:40 është njoftuar se i njëjti gjendet në arrati për shkak të një vepre tjetër.

Sipas këtij vendimi, thuhet se gjykata pasi që ka marrë informatën nga zyrtarët policorë se Osmani gjendet në arrati, ka gjetur se pikërisht nga kjo gjykatë është aktiv një urdhërarrest ndaj tij i lëshuar më 16 maj 2024.

Mbrojtësi i Osmanit, avokati Besnik Berisha i është drejtuar Prokurorisë me kërkesë që të anulohen veprimet eventuale të ndërmarra ndaj Osmanit e të cilat mund ta pengojnë hyrjen e lirshme të tij në Kosovë, duke kërkuar dakordim për datën e intervistimit të tij.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2021, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, në periudhën e fund vitit 2013 deri në shtator 2015, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku për shkak të borxhit të marrë në qershor 2012, në shumë 350 mijë euro (nga të cilat 100 mijë euro transfer dhe 250 mijë euro në dorë), me çka i pandehuri Nika dhe i dëmtuari lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, lokacioni qytezja Pejton-Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Dalladakut, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ashtu që me kamatë 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Nika nga i dëmtuari Dalladaku merr kamatën në shumë prej 50 mijë euro.

Tutje, thuhet se të pandehurit Nika, Osmani dhe Bojku shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit Dalladaku dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ia japin Sahit Paraqarizit shumën prej 250 mijë euro, sepse toka prej 3 hekatarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj 8 km, nga Prishtina, e cila kishte vlerën prej 600 mijë euro ishte e Paqarizit, ashtu që ai e bëri bartjen e pronësisë të kësaj toke.

Ndërsa, thuhet se për të njëjtën shumë pra 600 mijë euro (250 mijë euro plus 350 mijë euro) e ngarkojnë të dëmtuarin Dalladaku si borxh i ri, por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Dalladakut sipas kontratës me të akuzuarin Nika.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit Nika, Osmani dhe Bojku, pasi në periudhën e fillim vitit 2014, i dëmtuari Dalladaku dështon në kthimin e shumës fillestare 350 mijë euro, i pandehuri Nika në bashkëkryerje me Osmanin e Bojkun, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij.

Tutje, thuhet se kanë shkuar fillimisht në lagjen “Pejton”, ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes mes Nikës e Dalladakut, dhe kanë hyrë në shtëpi, me këtë rast, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kanë komunikuar me dëshmitarin Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, punëtorë në firmën “Design Factory” që kishte zyrat aty.

Në aktakuzë thuhet se Osmani kontrolloi në zyrë duke hapur derën e zyrës së Dalladakut, por i njëjti i frikësuar për jetë ndal dritën dhe fshehet në tualet, pastaj të pandehurit tentojnë që me forcë të marrim çelësin e shtëpisë nga Hajdaraj, i cili edhe pse pati kërcënime në adresë të vet dhe të Dalladakut, fillimisht refuzoi t’ua japë, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë së sjelljes së tyre, detyrohet t’ua japë.

Tutje, thuhet se pas disa muajsh të tre të pandehurit e detyrojnë të dëmtarin Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe 3 hektarësh në lokacionin afër QMI, vlera e së cilës është rreth 900 mijë euro, por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700 mijë euro, e me këtë rast Nika nuk ia kthen shtëpinë Dalladakut, por vazhdon që ta mbajë edhe më tutje në emrin e tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia shet Adil Thaqit në shumë prej 260 mijë euro.

Për këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”.

Tutje, i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, thuhet se kontrakton një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Dalladaku që të blejë pronën 5 hektarësh afër QMI-së, në të cilën i pandehuri Dalladaku kishte një leje ndërtimi për spital, e që me kapital të tij veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700 mijë euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Intermed”.

Tutje, thuhet se marrëveshja ishte që i akuzuari Maqani të blinte borxhin prej 450 mijë euro nga të pandehurit Nika, Osmani dhe Bujku të paraqitur në dispozitivin II duke e liruar nga ky borxh të dëmtuarin Dalladaku, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante Dalladakut dhe me datën 5 shtator 2015, i pandehuri Maqani ia transferoi shumën 100 mijë euro Dalladakut dhe ia dha dy vetura në vlerë prej 150 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.

Dispozitivi i katërt i aktakuzës thotë se i pandehuri Maqani në muajin mars 2016, njëanshëm ndërpreu marrëveshjen verbale të cekur më lartë dhe ia ka marrë të dy veturat të dëmtuarit Dalladaku, ia ka llogaritur 80 mijë euro shfrytëzim të veturave dhe punën e kompanisë “Albioni” dhe duke përdorur kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582 mijë euro prej të dëmtuarin Dalladaku.

Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që e ka detyruar të njëjtin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, të pranojë imponimin, se ka obligim ndaj Maqanit dhe i dëmtuari Dalladaku bie në kontakt me Adil Thaqin që të jetë ndërmjetësues tek Maqani për shtyrje të afatit të borxhit.

Fillimisht thuhet se me Thaqin arrihet marrëveshje verbale që borxhi i imponuar 582 mijë euro të shtyhet deri në natën e fundit të vitit 2017 dhe po ashtu me datë 30 maj 2017 bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton ku Thaqi ia pagoi Nikës 260 mijë euro me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, Dalladaku merret vesh me Nikën dhe Thaqin që shtëpia në Pejton t’i shitet Thaqit.

Me këtë, Maqani akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi”.

Ndërkaq, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se në janar të vitit 2018, i pandehuri Thaqi, i cili ishte si ndërmjetësues, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e mashtron të dëmtuarin Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260 mijë euro për pagesën e kryer për Sami Nikën.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen pasuritë e luajtshme që janë objekt i urdhrit nga neni 273 dhe urdhrit për ndalim afatgjatë nga neni 266 të KPP-së të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, të cilat kanë rrjedhë si rezultat i veprave penale dhe kjo pronë t’i kthehet pronarit tani të ligjshëm, të dëmtuarit Dalladaku si në vijim: parcela me adresë rruga “Perandori Justinian” në Prishtinë, me sipërfaqe 446 metra katror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat