Sa të sigurta janë burgjet e Kosovës?

Aktuale

Sa të sigurta janë burgjet e Kosovës?

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 08:45
Foto ilustrim

Ish drejtues të Shërbimit Korrektues të Kosovës thonë se burgjet e Kosovës janë më të sigurta se sa ato të vendeve të rajonit. Ata thanë se ikja e të burgosurit që u dyshua për vrasjen e një polici në Serbi u bë nga një burg, i cilësuar, gjysmë i hapur. Deklaratat e tyre pasuan shkrimin e ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila tha se arratisjet e fundit të të burgosurve në Kosovë janë organizuar dhe u nxitur nga strukturat serbe brenda burgjeve të Kosovës.

Dy të dyshuarve për ndihmë të një të burgosuri Gjykata në Prishtinë iu ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Të dy ata dyshohet se e kanë ndihmuar Faton Hajrizin, një i dënuar që ka ikur nga burgu në Smrekonicë të Vushtrrisë, javën e kaluar, Hajrizi u vra në shkëmnbim zjarri me policinë serbe në një fshat në kufirin e Serbisë me Republikën Serbe, vetëm një ditë pasi vrau një pjesëtar të policisë serbe.

Zhvillimet e javës së kaluar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ndërlidhi me, siç tha, strukturat serbe brenda shtetit të Kosovës. Ajo ka shkruar në fund javë se këto struktura po organizojnë arratisje nga burgjet e Kosovës.

E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.

Por ish-drejtori i shërbimit korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, tha se burgjet e Kosovës kanë sigurinë më të lartë në rajon dhe sipas tij arratisjet e fundit që ndodhën ishin nga burgu gjysmë i hapur i Smrekonicës, burg i cili sipas Thaçit ofron benefite për të burgosurit.

“Duhet ta keni parasyshë se ikja e tashmë të ndjerit Faton Hajrizi ka ndodhur nga burgu u Smrekonicës dhe ai burg është gjysëm i hapur aty më shumë shkojnë ata të cilët janë në përfundim të dënimit me qëllim që të risocializohen dhe normale që edhe mund të ndodhë të ketë raste sikur ishte i Fatonit pasi që aty ka benefite të ndryshme dhe mendoj që të gjithë të burgosurit duhet ta kenë një mundësi të tillë”, tha Thaçi për rtv21.

Të paktën tre të burgosur u arratisën nga burgjet e Kosovës, në një periudhë të shkurtër kohore. Ministrja Haxhiu, ndëkrhë, kërkoi hetim vendor dhe ndërkombëtar për ikjet nga burgjet e Kosovës. Pretendimi i ministres Haxhiu, për përfshirje të strukturave serbe në burgjet e Kosovës, u vlerësua si cenim i sigurisë kombëtare nga partia në opozitë PDK. Zyrtarë të saj kërkuan dorëheqjen e ministres Haxhiu, pasi që përgjegjësia për Shërbimin Korrektues të Kosovës i takon ministrisë së drejtësisë. Në anën tjetër nën-koloneli në pension Refki Morina, thotë se arratisje nga burgu ndodhin edhe në vendet e zhvilluara por që sipas tij Kosova duhet të punojë dhe të ndjek teknologjinë e burgjeve nëpër vendet e perëndimit.

Pa dashur t’i komentoj deklaratat e ministrës mendoj që vend për përmirësime ka vazhdimisht por që arratisjet ndodhin në anën tjetër ajo që them dhe mund të them është se Serbia qëllim të vetëm ka destabilizimin e Kosovës pra bënë gjithçka që Kosova të dal e dobët dhe të dal keq karshi bashkësisë ndërkombëtare”, tha Morina.

Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se nga burgjet e Kosovës që nga viti 2007 janë arratisur 56 të burgosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat