​Haxhiu përfundon intervistimin nga Prokuroria, tregon se çka është pyetur

Aktuale

​Haxhiu përfundon intervistimin nga Prokuroria, tregon se çka është pyetur

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 07:50 Përditësuar në ora: 17:24 më 23.07.2024
Albulena Haxhiu

Haxhiu: Mediumi boshnjak që e publikoi lajmin është kredibil, ta dimë cilat portale financohen nga Serbia

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se “është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohet nga Serbia”.

Ajo tha se e ka njoftuar prokurorinë për lajmin që publikoi dje RTK nga një gazetë boshnjake.

“Siç e keni parë dje, në RTK Live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, është Periskopi dhe Nacionalja që thuhet sipas hulumtimit që financohen nga Serbia, nga Qeveria e Serbisë. Kam ofruar para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK Live, sepse është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohet nga Serbia”, tha Haxhiu para gazetarëve.

Haxhiu tha se gazeta që e ka publikuar këtë shkrim, “është kredibile”.

“Unë po them edhe njëherë që nuk është përgjegjësia e imja të them se çka dhe kush e ka përgatitur hulumtimin. Ajo çka është e rëndësishme është që e përditshmja atje është kredibile dhe hulumtimi është bërë nga ata. Prandaj iu përket institucioneve përgjegjëse që të hulumtojnë më shumë, të hetojnë më shumë këtë rast. Unë e pata obligim që t’ua ofrojë ato që i kam parë edhe vetë, jo vetëm në cilësinë e Ministres së Drejtësisë por edhe të qytetares së Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu: Nuk kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës, e thanë PDK-ja dhe ca analistë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhu, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka thënë se ky organ i drejtësisë më shumë merret me deklarimet e saja se sa me punët që i takojnë.

Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se e pati një pyetje shokuese nga prokurori i rastit, për të cilën thotë se ashtu është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës dhe disa analistë politikë në emisione televizive.

“Më habit fakti që Prokuroria zgjohet pas reagimit tim në rrjetin social Facebook sepse është dashtë të jetë vigjilente në vazhdimësi për tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Poashtu, sulmeve të vazhdueshme terroriste siç ishte rasti i Basnjkës dhe sulmi në Ujman, siç duket prokuroria zgjohet vetëm nga deklaratat e mia, si duket prokuroria më shumë rri në profilet e mia në rrjete sociale se sa që merret me punët dhe përgjegjësit që i ka”.

“Poashtu, është për t’u duartrokitur që më përcjelli me vëmendje edhe në studio televizive. Kjo ka mundur të mbyllet ndryshe, unë jam ministre e Drejtësisë, udhëheqi një institucion të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas reagimit tim në Facebook, ka qenë e udhës të më ftojë në kuadër të bashkëpunimit institucional, por përpjekjet e tyre me autorizim të policisë tregojnë shumë për qasjen që kanë, por edhe motivet që mund të kenë, nuk dua t’i paragjykoj sot, është e habitshme dhe shokuese se njëra nga pyetjet që më është parashtruar sot është ‘Çka ke menduar me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës?’”.

“Ju lutem sot mundeni të hyni në rrjetin tim social Facebook, nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës është shpifje dhe thashethem, këtë e ka thënë PDK edhe sa ca analistë, unë asnjëherë nuk e kam thënë, këtë e ka thënë PDK në konferencë për media, dhe ca analistë që qëllimshëm kanë keqinformuar opinionin për deklarimin tim. Prokurori duket se nuk e ka lexuar fare deklarimin tim, por atë se çfarë ka thënë PDK dhe disa analistë”, ka thënë Haxhiu. 

Haxhiu për Faton Hajrizin: Nuk mund ta quajmë hero – kam mbrojtje shtesë shkaku i kërcënimeve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Faton Hajrizi nuk mund të quhet hero për shkak të veprave të rënda penale që ka kryer dhe dënimeve që ka marrë për to.

Haxhiu ka njoftuar se shkaku i kërcënimeve që ka marrë nga individë të ndryshëm në lidhje me deklaratat e saj për Faton Hajrizin ka marrë mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës.

Nuk mund ta quajmë hero një person që ka vepra të rënda,, që ka plagosur Policinë e Kosovës që është dënuar për vepra të rënda. Kam pranuar kërcënimeve nga individë të ndryshëm, vlerësimi i rrezikshmërisë do të bëhet së shpejti.

Por për të shmangur çfarëdo situate natyrisht e kemi parë të rëndësishme që përkohësisht të ketë mbrojtje”, ka thënë Haxhi në një deklarim për media, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Haxhiu pas intervistimit nga PSRK-ja: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë

Për më shumë se dy orë intervistim, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dalë nga objekti i Policisë së Kosovës ku është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me deklarimet e saj për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës.

Ministrja Haxhiu ka thënë se intervistimi i tij është tendencioz dhe se dikujt sipas saj po i pengon puna e Qeverisë.

“Siç e dini me urdhër të PSRK, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj, etj. me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën por që ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon dhe siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”, u shpreh Haxhiu, teksa tregoi edhe për rastin e dytë rreth dekoratës së saj për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, të cilat sipas saj janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia."

​Nis intervistimi i ministres Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po vazhdon edhe sot intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ajo po intervistohet në objektin e Policisë së Kosovës, mbi deklarimet e saj për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, si dhe sqarimit të deklaratës së saj lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara.

Haxhiu shoqërohej nga avokati Tomë Gashi.

Intervistimi nga prokuroria i ministres Haxhiu ka nisur të hënën.

Albulena Haxhiu vazhdon sot intervistimin në Prokurorinë Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të vazhdojë sot intervistimin në Prokurorinë Speciale në Prishtinë mbi deklaratat e saj se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.

Prokuroria Speciale njoftoi dje se është intervistuar ministrja Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës.

Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe sot, thuhet në njoftim.

Haxhiu tha të shtunën se organet shtetërore kanë informacione që “së paku në disa raste”, grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë ndihmuar dhe organizuar arratisjet e të burgosurve në Kosovë.

Ajo kishte thënë se mbështetja e Serbisë për të arratisurit në Kosovë “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës”.

Haxhiu ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënëse” nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë dhe se nevojitet hetim i gjerë dhe i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat