Abazi: Haxhiu ministre e papërgjegjshme, të jap dorëheqje

Aktuale

Abazi: Haxhiu ministre e papërgjegjshme, të jap dorëheqje

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 06:37
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi e ka quajtur të papërgjegjshme ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të kësaj të fundit që tha se arratisjet që po ndodhin në Kosovë, janë të organizuara me grupet kriminale të Serbisë.

Abazi më tej vlerëson se Haxhiu është pazonja dhe e padinjitetshme, pasi që sipas tij, ajo nuk mund të kujdeset për funksionimin esencial të ministrisë.

“Nuk është hera e parë. Është një ministre e papërgjegjshme që lëshon fjalë pa i menduar fare ose është e cytur nga zoti Kurti që të bëjë deklarime për të tërhequr vëmendje që shkarkon barrën institucionale dhe përgjegjësinë, nga institucionet. Është e papërgjegjshme që pa fakte të sulmohet kaq keq sistemi korrektues i burgjeve të Kosovës, duke thënë se Serbia qenka e infiltruar përbrenda punës së institucioneve. Nëse kjo është e vërtetë ku ka qenë ministrja që nuk e ka paralajmëruar një gjë të tillë më herët që të bëhen veprime preventuese. Është një ministre e pazonja, e padinjitetshme, nuk mund të kujdeset fare për çështjet e funksionit esencial të ministrisë së saj. Është tepër vonë që ajo të largohet nga pozita që mban”, është shprehur ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.

Ndërkohë, Abazi ka folur edhe për intervistimin që Prokuroria Speciale i ka bërë ministres Haxhiu lidhur me disa deklarata për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe rastin e Faton Hajrizit dhe arratisjet tjera nga burgjet e Kosovës.

Ai ka thënë se Prokuroria Speciale duhet t’i shkojë deri në fund këtij rasti.

“Nëse një ministër, gënjen, manipulon me të dhëna, shantazhon institucionet e vendit duhet të ketë pasoja për një gjë të tillë. Nuk mund të lejojmë që askush e sidomos zyrtarët e shtetit të bëjnë kësi lloj deklarata të cilat rëndojnë si askush tjetër mbi ata të cilët kryejnë punën me nder në institucionet e vendit”, ka thënë Abazi.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se intervistimi i Haxhiut për të sqaruar këto deklarata do të vazhdojë edhe të martën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat