Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla duke folur për rastin e Faton Hajrizit ka thënë se atë e ka konsideruar si të ishte vëllai i tij i vogël dhe që meritonte t’i jepej një shans.
Ai e ka parë të gabuar mbajtjen e Hajrizit në izolim për 4 vjet, madje sipas tij kështu ndodhë vetëm në Kore të Veriut.
Për ekspertin e sigurisë, ky rast tregon që duhet një reflektim i thellë i klasës politike, bashkësive fetare e mediave.
“E kam konsideruar sikur të ishte vëllai im i vogël. Burgu nuk është vetëm institucion ndëshkimi, duhet të jetë edhe korrektimi. Nuk mund të mbash një njëri 4 vjet në izolim, 4 vjet izolim në Kore të Veriut mbajnë, duhet t’i japësh një shans, aq më tepër kur ka mbajtur kaq shumë vite vite burg.
Mendoj që çështja e Fatonit duhet të bëhet një reflektim për të ardhmen, mbi të gjitha për të pasur shtet. Përgjegjës është e gjithë shoqëria. Ka nevojë për një reflektim të thellë të klasës politike të institucioneve, bashkësive fetare, medias”, është shprehur ai në emisionin “Matrix”.
Duke shprehur keqardhje, Kulla thotë se është normale që njeriu edhe të humbas mendjen në rrethanat që është rritur Hajrizi.
“Më erdhi keq për të. Më erdhi keq sepse në atë moshë që ai ka bërë vrasjen e ushtarit rus, gjithkush mund të bëjë një gabim, aq më tepër një fëmijë i lindur dhe rritur në Kosovën e Millosheviqit, ku dhuna ka dominuar gjithë shoqërinë, ku nuk ka qenë e mundur të shkolloheshe, kur në moshën 12 vjeç Kosova përfundoi në luftë, aq më tepër në zonën ku vinte ai, Klinë-Drenicë, andej që ka qenë komplet zona e djegur e shkatërruar me mijëra viktima, pra normal që në vende të tilla ndodhë që të ketë njerëz që humbasin mendjen aq më tepër fëmijët, kur ka parë masakrat”, ka shtuar ai.