Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për Faton Hajrizin, Ministria e Jashtme ankohet te vendet e QUINT-it

Aktuale

Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për Faton Hajrizin, Ministria e Jashtme ankohet te vendet e QUINT-it

Më: 22 korrik 2024 Në ora: 18:38
Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për Faton Hajrizin, Ministria e Jashtme ankohet te vendet e QUINT-it

Kosova po pret ende përgjigje nga Serbia për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupit të pajetë, pasi autoritetet serbe deklaruan se i vrari është Faton Hajrizi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njoftoi se ende nuk ka pranuar përgjigje nga autoritetet serbe dhe për këtë është ankuar te ambasadorët e vendeve të QUINT-it përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar më parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Gjithashtu, është kërkuar lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët. Megjithatë, deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe,” thuhet në përgjigjen e MPJD-së për telegrafin.

MPJD gjithashtu theksoi se “Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, duke theksuar faktin se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë, ende nuk është kthyer asnjë përgjigje.”

Ministria njoftoi gjithashtu se ka komunikuar me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat