Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim kryetarin e Strigarit, Damiano Baffa, komunë kjo arbëreshe në rajonin e Kalabrisë dhe në afërsi të qytetit Kozenca në jug të Italisë.
Në takim u diskutua mbi mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Strigarit dhe komunave arbëreshe me komunat e Kosovës, në projekte të cilat prekin veçanërisht fushën e kulturës.
Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në organizimin e aktiviteteve për promovimin e kulturës arbëreshe në Kosovë dhe anasjelltas, por edhe seminare të përbashkëta për të thelluar dijen mbi njohjen e rolit të rëndësishëm të arbëreshëve.
Kryetari Baffa tha se ndihet i nderuar dhe i lumtur që ndodhet në Kosovë, e ku vlerësoi pritjen kushtuar tij, të cilën e cilësoi të jashtëzakonshme. Ai shtoi se komuniteti i arbëreshëve në Itali, në zonën e Kalabrisë, që 600 vjet ruajnë traditën, kulturën e gjuhën arbëreshe.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Baffa i dhuroi kryeministrit Kurti librin me poezi të autorit arbëresh Giuseppe Serembe dhe e ftoi për një vizitë në Strigari dhe komunat arbëreshe.