Vendimi i BE-së për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës, flasin nga Presidenca

Aktuale

Vendimi i BE-së për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës, flasin nga Presidenca

Më: 22 korrik 2024 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Pas Qeverisë, ka reaguar edhe Presidenca.

Në një përgjigje për median, thuhet se vendimi i Këshillit të BE-së që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përkatësisht të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët tanë me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton qytetarët e Kosovës dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në.

Sipas Presidencës, legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të pa verifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, ka thënë Bekin Kupina, këshilltar për Media.

Tutje ka theksuar se Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen.

Për më tepër, thotë se vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit.

Sipas Presidencës, Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm.

“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”.

“E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës”, thuhet në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat