14 vjet më parë, bazuar në një kërkesë për mendim këshilldhënës të parashtruar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në 123 paragrafë të përmbledhur në 54 faqe vendim, Gjykata e arsyetoi gjerësisht se si Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk shkelte asnjë normë të përgjithshme a speciale të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkëputja e Kosovës nga shteti pararendës përbënte tashmë një fakt të parevokueshëm.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është për keqardhje që ky vendim i GjND nuk u përdor për ta eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të Dialogut të Brukselit.
“Mendimi Këshilldhënës i GjND-së përbën një rast të rrallë ku Gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocid-bërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai thotë se ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të GjND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh.
“Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pa kontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Juristë eminentë e referencojnë atë pafundësisht në literaturën moderne kurse studentët e drejtësisë e mësojnë atë si një nga aktgjykimet më përmbajtësore që vendosi bazat e normave që rregullojnë lindjen e shtetit të ri në një kontekst post-gjenocidal e post-kolonial bashkëkohor. Tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GjND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do të mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi që ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë”, ka përfunduar Kurti.