Fjalimi që i kushtoi rëndë në Likoshan, Luljeta Pula: Shumë njerëz nga Drenica më kanë kërkuar falje

Aktuale

Fjalimi që i kushtoi rëndë në Likoshan, Luljeta Pula: Shumë njerëz nga Drenica më kanë kërkuar falje

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 19:28
Ish-veprimtarja politike, Luljeta Pula Beqiri

Ish-veprimtarja politike, Luljeta Pula Beqiri, si rrallë herë foli për fatin e saj në politikë gjatë dekadës para çlirimit, e deri te dorëheqja përfundimtare nga politika.

Në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN”, ajo ka rrëfyer rreth një ndër hapat më të diskutuar në tërë karrierën e saj politike, e që është fjalimi i saj në Likoshan e Qirez pas masakrës që kishte ndodhur atje.

Ky fjalim ishte mbajtur gjatë ceremonisë së varrimit të viktimave, me ç’rast ajo u kundërshtua nga një pjesë e mbi 100 mijë të pranishmëve si pasojë e përmbajtjes së tij.

Këtë ndodhi ajo e quajti ‘përvojë shumë të hidhur’, ku ndër tjera ajo tha se ishte keqkuptuar.

“Fjali e stigmatizuar dhe e inkriminuar, e cila çoi në linçimin tim publik ishte kjo: Fajtor për këtë terror shtetëror që bën Serbia në Kosovë është jo vetëm regjimi kriminal i Serbisë, jo vetëm shpërfillja që faktori ndërkombëtar i bënë çështjes së Kosovës, por edhe Lëvizja politike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën. Posa e kam përmend Ibrahim Rugovën, masa u çorodit”, u shpreh ajo.

“Aty ishin mbi 200 mijë njerëz. Gjysma më përkrahnin, gjysma më linçonin, mirëpo emisarët e LDK-së praktikisht e shpallën këtë paraqitje time si fushatë presidenciale. Ata nuk e dinin se unë u nisa dhe erdha nga mbledhja e zgjeruar e Këshillit Koordinues të Partive Politike ku unë tërhoqa kandidaturën time për president dhe bëra thirrje që të anuloheshin zgjedhjet, kështu që unë nuk isha më kandidate”, shtoi ajo.

Ndër tjera ajo tha se emisarët e LDK-së nuk e lanë as të sqarohej, teksa shtoi se pak më vonë mori përkrahjen nga disa njerëz të Drenicës, që sipas saj dikur ishin pjesë e grupit që e akuzuan për këtë fjalim në Likoshan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat