Përkrah idenë e ministres Haxhiu, deputeti Abrashi kërkon hetim ndërkombëtar për vrasjen e Faton Hajrizit

Aktuale

Përkrah idenë e ministres Haxhiu, deputeti Abrashi kërkon hetim ndërkombëtar për vrasjen e Faton Hajrizit

Më: 20 korrik 2024 Në ora: 17:41
Artan Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka përkrahur idenë e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se nevojitet hetim edhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë, si dhe lidhur me vrasjen e Faton Hajrizit. 

Deputeti Abrashi, përmes një postimi në Facebook, tha se “ajo çfarë kërkoi ministrja Haxhiu është përveçse e drejtë edhe shumë e nevojshme”.

Duhet një hetim ndërkombëtar për rastin e fundit që ndodhi në Serbi me vrasjen e Policit pastaj edhe të Faton Hajrizit. Këtë hetim do të ishte mirë ta bënte një strukturë policore ndërkombëtare siç mund të jetë FBI, Scotland Yard e të tilla të kësaj kategorie”, ka shkruar Abrashi.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.

Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arratisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.

Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.

Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.

Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.

Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës.

“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka shkruar ajo.

Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.

Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.

Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat