Faton Hajrizi u ekzekutua këtë të premte nga forcat serbe në vendin e quajtur Banja Kovilaça. Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, është personi i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të së enjtes në Lloznicë.
Vrasja e policit, Nikolla Kërsmanoviç ka ndodhur kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinë.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç pohoi se ka qenë një banor i zonës i cili ka njoftuar policinë pasi Hajrizi kishte kërkuar ujë.
Gani Geci, ish-deputet në Kosovë tregoi në një intervistë se Faton Hajrizi ka marrë dokumentet e të vëllait që të largohet nga republika e Kosovës dhe Serbisë me qëllim që të shkonte në Gjermani dhe se nuk ka pasur për qëllim të vriste njëri.
Sipas tij, policia serbe nëse do të tregohej disi më profesionale mund ta kishte shmangur vrasjen e tij.
“E vranë për të treguar se shteti i Kosovës ka dërguar njerëz për të vrarë në Serbi. Fatoni është rritur në burgje, një djalë i ri që qëndron për një kohë të gjatë në burg, problemet sjellin probleme, dhe nuk është rehabilituar apo risocializuar. Veprimet që ka bërë janë pasojë e moskujdesjes së shtetit të Kosovës. Kam ndenjur me të 3 ditë në burg, 8 orë rresht kam biseduar me të si të dalë nga burgu, si të krijojë familje. Nuk mund të bëhet krahasimi i Fatonit me Banjskën se Fatoni ka qenë i vetëm, çfarë Banjske mund të bënte”, tha Geci.