Nënkryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj fajëson qeverinë maqedonase për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së

Aktuale

Nënkryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj fajëson qeverinë maqedonase për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 21:47
Luan Jahiri

Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është arrestuar mbrëmë nga autoritetet maqedonase, pasi që i njëjti kishte fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Për këtë, nënkryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj, Luan Jahiri, lë fajtor qeverinë e re maqedonase, pasi që thotë se nuk është pasivizuar lista me veteranët e UÇK-së, të cilët kanë akuza nga Serbia.

Ai tha se lista me veteranët riaktivizohet çdo vit, por që nga qeveritë e kaluara nuk ka pasur rrezik për shqiptarët pasi që e kanë pasivizuar.

“Kjo është një listë që riaktivizohet çdo vit nga shtetet në INTERPOL, në qeveritë paraprake lista kur është aktivizuar në Maqedoni atëherë ka reagu qeveria dhe e ka pasivizuar atë. Të gjithë ata shqiptarë që kanë qenë në atë listë ata janë pasivizuar dhe nuk kanë qenë në sistem, ndërsa kjo qeveri e Maqedonisë nuk e ka marrë këtë veprim, është një neglizhencë e tyre nuk po e dimë se çfarë t’i themi ende”, deklaroi ai.

Jahiri bëri të ditur se Ramadanit tashmë edhe iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 dite, por që beson se pas përfundimit të procedurave i njëjti do të lirohet javën e ardhshme.

Nënkryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj është shprehur i befasuar që Maqedonia e Veriut arrestoi shqiptarin me fletë arrest nga Serbia.

“Ne që 25 vite nuk kemi pritur që Maqedonia e Veriut do të arrestojë shqiptarë që kanë qenë ushtarë të UÇK-së me një fletë arrest të Serbisë. Jemi të shqetësuar se pse tash janë aktivizuar këto, kur ne jemi afër me Shkupin dhe pothuajse çdonjëri nga Ferizaj kemi lëvizur për atje”, tha ai.

Ndërkohë, Jahiri bëri të ditur se tashmë kanë bërë kërkesë që veteranët e listës të mos lëvizin drejtë Shkupit.

“Kemi bërë kërkesë për bashkëpunëtorët që të mos lëvizin për momentin në Shkup, derisa të dihet arsyeja e ndalimit. Ne kemi marrë informata nga burimet e policisë se lista që ka qenë është aktivizuar me 4 korrik tash dhe në atë listë të gjithë ata veteranë që kanë pasë një akuzë nga Serbia është rrezik për momentin me shkua në Maqedoni”, njoftoi ai.

Ndërsa gruaja e Ramadanit, Valbona ka deklaruar se arrestimi i tij u bë me arsyen se ai ka qenë ushtar i UÇK-së.

“Unë studioj në Tetovë edhe ka ardh me më shoqërua mua, në dorëzimin e dokumenteve…aty është bërë arrestimi. Arsyeja është se ka qenë ushtar i UÇK-së”, është shprehur ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat