​Ish-kryeinspektori i AKI-së: Qeveria e Maqedonisë përbëhet nga eksponentë pro-serbë

Aktuale

​Ish-kryeinspektori i AKI-së: Qeveria e Maqedonisë përbëhet nga eksponentë pro-serbë

Më: 18 korrik 2024 Në ora: 19:14
Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani

Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është dërguar në paraburgim ekstradues prej 30 ditëve në burgun Shutka, pasi u arrestua dje në vendkalimin kufitar Jazhincë në Maqedoninë e Veriut, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

Ramadani, i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme.

Ky veprim nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, sipas ish- kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani është i papranueshëm, i cili do të sjellë një tensione ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ramadani thotë se shqiptarët që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duhet të sillen me më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë të qartë se cilat janë “vijat e kuqe” në raport me vlerat kombëtare shqiptare kudo që janë.

Ish-kryeinspektori i AKI-së ka thënë për KosovaPress-in se Qeveria e re në Shkup është e përbërë kryesisht nga eksponentë që janë pro-Beogradit zyrtar, të cilët e kanë shpallur Serbinë si aleatin kryesor të tyre.

“Është fatkeqësi që Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut është e përbërë edhe nga eksponentë që janë plotësisht pro-Serbi që madje eksponent të kësaj qeverie të re kanë shpallur Serbinë si aleatin kryesor dhe të tjerët duke përfshirë edhe shqiptarët që janë në atë qeveri. As nuk janë distancuar dhe as nuk e kanë dënuar këtë shpallje të Serbisë si aleatin kryesor. Normalisht që qytetarët duhet të besojnë në drejtësinë dhe si i tillë nuk besoj se mund të ketë ndonjë mundësi që ish-ushtari në fjalë të ekstradohet përmes Serbisë, sepse kjo do të nënkuptonte një tensionin të gjendjes edhe në Kosovë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe si e tillë besoj që do të ishte e papranueshme. Besoj që shqiptarët në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut duhet të sillen me më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë të qartë se cilat janë vijat e kuqe në raport me vlerat kombëtare shqiptare kudo që janë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani, ka shtuar se ftesat përmes Interpolit nga ana e Serbisë janë abuzim në raport me Kosovën, e cila nuk është e anëtarësuar në këtë organizatë.

“Nëse rasti i fundit, i sotshëm nuk e merr trajtimin e duhur nëse nuk ka vija të kuqe, të cilat duhet të vendosen nga shqiptarët në qeveri, normalisht që tensionimi i tillë i raporteve ndëretnike nuk i ndihmon as Maqedonisë së Veriut, as Kosovës as stabilitetit rajonal. Normalisht që Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e sigurisë atje duhet të jenë të kujdesshme dhe ta kuptojnë se ftesat ose thirrjet përmes Interpolit nga ana e Serbisë janë abuzim total me mundësinë që e ka Serbia, mundësi të cilën nuk e ka Kosova”, ka thënë ai.

“Topi” sipas tij është në duart e shqiptarëve pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë luftuar me gjithçka për të zënë atë pozitë. Sipas tij, gabimi i parë nga ana e shqiptarëve është mundësia e dhënë Ivan Stoiljkoviq si zëvendëskryeministër, i cili është i njohur si politikan i afërt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kreun e Republikës Serbe Milorad Dodik.

“Liderët dhe udhëheqjet e shtetit kanë përgjegjësinë e mbajtjes së raporteve të mira, sidomos me shtete fqinje edhe në kuadër të fshehtësisë të mirë por edhe të qëllimeve të përbashkëta. Besoj që topi është në duart e VLEN-it, të shqiptarëve që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë për të cilën kanë luftuar me gjithçka për të zënë ato poste, që të vendosen vijat e kuqe dhe gabimin e parë e kanë bërë me mundësinë që i dhanë Stoiljkoviq të bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër për Çështje të Komuniteteve dhe çështjen e marrëveshjes së Ohrit. Ai ka qenë gabim strategjik dhe si i tillë nuk duhet të përsëritet më”, është shprehur ai.

Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë (SPB) konfirmoi se dje në vendkalimin kufitar Jazhincë është ndaluar një 47-vjeçar shtetas i Kosovës i cili kërkohej nga Interpoli i Serbisë. I njëjti i është dorëzuar zyrtarëve policorë në SPB-Tetovë për procedurë të mëtutjeshme.

Flet-arresti ndërkombëtarë i lëshuar nga Serbia në Interpol është pranuar nga Gjykata Penale dhe Blerim Ramadani 30 ditë do të qëndrojë në burg. Propozimin për masën e kujdesit e ka dhënë Prokuroria e krimit të organizuar. Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për kinse krime lufte. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat