Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e ka konfirmuar caktimin e pararburgimit prej 30-ditëve për ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Në një njoftim për medie, thuhet se MPJD është duke u angazhuar që Ramadani të lirohet sa më parë.
Sipas kësaj ministrie, institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e tij
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon opinionin se shtetasit të Republikës së Kosovës, Blerim Ramadani, i është caktuar masa 30-ditore e paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup. Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të z. Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”, thuhet në njoftim.