Qeveria e Kosovës do t’i dorëzojë komentet me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, brenda kohës së paraparë nga ndërmjetësi i dialogut, Mirosalv Lajçak. Sipas ekzekutivit, pala kosovare në vazhdimësi ka paraqitur propozime konkrete për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitet. Në anën tjetër, në partinë më të madhe opozitare, PDK deklarojnë se plani i ri i Lajçakut për zbatimin e marrëveshjes është më i keq sesa i kaluari. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut thonë se themelimi i Asociacionit mund të jetë në qendër të këtij plani.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit në dialog, Besnik Bislimi, thotë se qeveria do t’i dorëzojë komentet me kohë dhe brenda afatit që është dhënë më 18 korrik.
Ai deklaron se qeveria vazhdimisht po tregohet konstruktive në dialog, por e njëjta qasje po mungon nga pala serbe.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t'i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak. Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, thotë Kadiu.
Mirëpo, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se në vizitën e fundit të Lajçakut në Kosovë, ai ka sjell një plan të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit i cili është më i keq sesa ata më herët që kanë qenë në tavolinë.
Ai është shprehur kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti pasi sipas tij i ka sjell Kosovës një marrëveshje të keqe, e cila nuk ka njohjen e ndërsjellët. Sipas tij, Kurti dhe Bislimi duhet të tregojnë për çka po bisedojnë në dialog, pasi konsideron se gjatë qeverisjes së tyre i kanë bërë dëme të mëdha Kosovës në këtë proces.
Hoxhaj: Plani i Lajçak për sekuencimin e marrëveshjes është më i keq sesa i kaluari
“Ka pranuar një marrëveshje sikurse ajo e Brukselit dhe Ohrit pa njohje të ndërsjellët. Kushtet i ka pasur që marrëveshja duhet të ketë njohjen në qendër, ndërsa marrëveshjen që e ka pranuar është pa njohje të ndërsjellët. Kurti ka ardhur edhe në Kuvend dhe ka qitur kushte për Asociacionin para neve si deputetë, por pastaj ka pranuar një draft-statut të Asociacionit pa e negociuar me askënd... 14:39 Zotëri Kurti dhe zotëri Bislimi duhet të na tregojnë për çka po takohen në Bruksel. Çka ka ofruar Mirosalv Lajçak. Ne si deputetë kërkojmë përgjegjësi politike dhe llogari për atë se çfarë po diskutohet. Përvoja e deri tanishme ka treguar se zotëri Kurti ka zero ide në negocim, zero ide në politikë të jashtme dhe në kontekstin ndërkombëtar. Çfarëdo që ka ndodhur në këto katër vite në dialog është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës”, thekson Hoxhaj.
Megjithëse palët në dialog do të dorëzojnë komentet për planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, ish diplomati kosovar, Blerim Canaj, është skeptik se mund të ketë progres në këtë drejtim.
Ai thotë se pika kyçe e planit të Lajçakut për zbatimin e marrëveshjes është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Canaj: Kosova e ka pranuar Asociacionin, tani është çështje e implementimit
“Asociacioni është njëfarë përdorimi retorik dhe politik si nga pala serbe ashtu edhe nga pala jonë. Me zotimet në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, pala kosovare veçse ka pranuar Asociacionin. Por është çështje implementimi. Problemi është sesi ajo të paketohet dhe të servohet në publik. Në anën tjetër, Serbisë po i konvenon kjo dhe për shkak të kësaj po e ka mundësinë të paraqes gjendjen e serbëve si të mjerë edhe pse nuk është ashtu siç paraqitet”, thotë ai.
Më 2 korrik është zhvilluar takimi në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo pa arritur progres për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Pas takimit, kryenegociatori Besnik Bislimi pati thënë se ka qenë kërkesë e emisarit Miroslav Lajçak që deri më 18 korrik Kosova dhe Serbia t’i dërgojnë komentet për planin e sekuencimit.