Është bërë një vit prej kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.
E tashmë kur janë bërë pothuajse një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave po vazhdojnë.
“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 Qershorit 2023 (Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor. Këshilli e kishte ftuar HRVP-në që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik. Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp të FAC më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, ka thënë Stano për rtv21.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para Anëtarësimit)