Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

Aktuale

Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 06:40 Përditësuar në ora: 17:11 më 16.07.2024
Pjetër Shala

Dënimi i Pjetër Shalës, Gjykata Speciale del me njoftimin e fundit

Sot, më 16 korrik 2024, Trupi Gjykues i shqiptoi Aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës. Ky është aktgjykimi i dytë i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në çështje gjyqësore për krime lufte.

Trupi Gjykues shpalli fajtor Shalën për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Për arsye juridike, Trupi Gjykues shpalli të pafajshëm Shalën për krimin e trajtimit mizor. Trupi Gjykues konstatoi se Shala mban përgjegjësi penale për veprat penale përmes kontributit personal të tij si pjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me krime lufte të kryera afërisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK), një fabrikë e dikurshme për përpunimin e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, FMK-ja shërbeu si shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe u përdor për një sërë qëllimesh, përfshirë për rekrutim, mobilizim dhe logjistikë. Disa anëtarë të UÇK-e përdorën edhe për të mbajtur të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtuar personat për të cilët mendohej se bashkëpunonin, kishin lidhje ose ishin simpatizantë të autoriteteve serbe, ose të cilët konsideroheshin se nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së. Viktimat ishin kryesisht shqiptarë kosovarë, të cilët përjetuan vuajtje prej shqiptarëve të tjerë kosovarë.

Numri i gjithsejtë i të ndaluarve në FMK gjatë periudhës që lidhet me akuzat nuk dihet, por sipas vlerësimit të Trupit Gjykues duhet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri të ndaluara femra. Trupi Gjykues arriti të identifikonte tetëmbëdhjetë (18) persona. Trupi Gjykues konstatoi se ata u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, në dhoma të vogla, pa ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor të mjaftueshëm, nuk i lejuan të pastroheshin ose të ndërronin teshat. Të ndaluarve nuk u dhanë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe nuk patën mundësinë të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim.

Të ndaluarit gjithashtu u morën në pyetje ashpërsisht, më së shpeshti gjatë natës, dhe u detyruan të jepnin deklarata ose të bënin deklarata pranuese. Ata u keqtrajtuan psikologjikisht dhe fizikisht dhe disa prej tyre i detyruan të bënin punë fizike. Si pasojë, të ndaluarit jetonin në frikë të vazhdueshme. Keqtrajtimi brutal u shkaktoi të ndaluarve lëndime afatgjata fizike dhe mendore. Disa prej të ndaluarve humbën aftësinë për të fituar jetesën ose për të mbajtur familje. Disa prej tyre u detyruan të ndërprisnin karrierën ose shkollimin, sepse konsideroheshin si familje spiunësh.

Njëri prej të ndaluarve u qëllua me armë zjarri nga një anëtarë i UÇK-së, pasi ishte keqtrajtuar rëndë nga një grup ushtarësh të UÇK-së. Ai vdiq si pasojë e lëndimeve nga armë zjarri dhe refuzimit të trajtimit mjekësor të duhur.

Më maj/qershor 1999, z. Shala ishte anëtar i UÇK-së. Ai ishte i pranishëm fizikisht në FMK disa herë dhe së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, mori pjesë në transferimin e njërit prej të ndaluarve në FMK, dhe marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin brutal të disa të ndaluarve. Ai mori pjesë gjithashtu në keqtrajtimin brutal e të ndaluarit i cili vdiq pasi u qëllua me armë zjarri. Ndonëse z. Shala nuk kishte rang ose pozitë zyrtare të përcaktuar në UÇK, ai megjithatë kishte njëfarë autonomie në FMK.

Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 22 dëshmitarë, 10 të thirrur nga Prokurori i Specializuar, 2 të thirrur nga Mbrojtësi Specializuar, dhe 10 nga Mbrojtja. Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza. Gjykimi u zhvillua në kontekstin e atmosferës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve.

Tetë viktima morën pjesë në proces, dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse. Së fundi, Trupi Gjykues sqaroi se do të lëshojë më pas Urdhrin për Zhdëmtim dhe ruan juridiksionin e nevojshëm për këtë qëllim.

Tension në sallën e gjyqit pas dënimit, gjykatësja i thotë avokatit mbrojtës t’i flasë Pjetër Shalës

Pjetër Shala ka reaguar me nervozë pasi gjyqtarja e Gjykatës Speciale ka shqiptuar vendimin e njësuar prej 18 vitesh burg për të për disa vepra penale.

Shala pasi është urdhëruar që të ulet pas shqiptimit të dënimit, shihet që bën një lëvizje me dorë dhe vazhdon të flasë.

Pas kësaj dëgjohet teksa reagon ashpër gjyqtarja kryesore duke ia tërhequr vërejtjen Shalës që s’është radha e tij të flasë dhe që s’mund të flasë.

Z.Shala s’është radha e juaj të flisni. Z. Shala s’mund të flisni, askush nuk iu dëgjon”, dëgjohet teksa thotë gjyqtarja.

Pjetër Shala më pas vazhdon të flasë edhe përkundër se e kishte të ndalur mikrofonin dhe kjo nxit gjyqtaren e rastit që të udhëzojë avokatin mbrojtës të Pjetër Shalës që t’i afrohet klientit të tij dhe t’i flasë.

Z. Avokat do të ishte mirë t’i afroheshit klientit tuaj dhe të bisedonit me të. E ka mbyllur mikrofonin, publiku s’dëgjon”, shprehet tutje gjyqtarja e Dhomave të Specializuara.

Pas kësaj, shihet avokati mbrojtës teksa i drejtohet klientit të tij, Pejtër Shala.

Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë shpallur fajtor Pjetër Shalën dhe dënuar me 18  vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Trupi gjykues konstatoi se përtej dyshimeve të bazuara, Pjetër Shala është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje si krim lufte kundër një personi.

Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës.

Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burigm. Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Trupi gjykues vlerësoi se pesha e krimeve ishte e rëndë dhe se Shala kishte një autonomi dhe pushtet brenda UÇK-së.

Vendimi për Pjetër Shalën

Sot shpallet aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, do të shpalljet aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Ndryshe Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje. Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022. Më 9 shkurt, Trupi Gjykues vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22(8) dhe 44(6) të Ligjit. Në vendimin e vet, të bërë publik më 6 mars 2023, Trupi Gjykues e zgjati afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedura deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022. Më 14 prill 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të saj. Më 21 prill 2023, u dorëzua versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Mbrojtjes.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake  për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykimin u mbajt brenda periudhës 18-20 tetor 2022.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme  (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023.

Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat