Nga sot deri më 20 korrik është urdhëruar kufizim i orarit të punës në vend për kategori të caktuara, për shkak të temperaturave të larta me të cilat po përballet vendi. Në bazë të vendimit, punëtorët me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, deri në katër orë në ditë. Megjithatë, kjo siç duket s’po respektohet nga Policia e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh media, në Policinë Rajonale në Prizren, një vendim i tillë s’po zbatohet dhe disa zyrtarë policorë që kanë sëmundje kronike kanë dalë sot në punë dhe kanë mbajtur orarin e plotë.
Të njëjtat burime thonë se vendimi është dërguar në stacione dhe nënstacione policore, por që urdhri nuk është vënë në funksion në të gjitha prej tyre.
Për pasojë, disa nga policët me sëmundje kronike nuk kanë qenë në kryerje të detyrës gjysëm orari, ashtu siç është vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.
Në njoftimin e fundit të MSH-së, të lëshuar sot, thuhet se janë marre masa ndaj së paku 28 shkelësve të vendimit për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta.
Temperaturat të premten arritën deri në 36 grandë në Kosovë dhe pritet që kjo valë e nxehtësisë të vazhdojë së paku edhe një javë.