Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaqi, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme partia që ai përfaqëson së bashku me aleatët do të fitojnë 60% të votave.
Ai tha se nëse do t’ua lejonte ligji, opozita, nuk do dëshironte zgjedhje deri në vitin 2027 pasi që ata e dinë mirë epilogun e zgjedhjeve.
“Zgjedhje nuk do të ketë deri në afatin e caktuar me ligj sepse opozita nuk është e gatshme për zgjedhje. Krejt këto fjalë janë fjalë boshe që i thotë opozita, ne kishim rastin kur kryeminsitri ju kërkoj që ta shpallin datën e zgjedhjeve nëse ata dojnë, por ata nuk ishin të gatshëm. Sikur tua lejonte ligji ata deri me 2027 nuk do të dëshironin të ndodhnin zgjedhjet sepse e dinë mirë epilogun e zgjedhjeve, LVV bashkë me aletatët e saj listën Guxo dhe altërnativën do ta korrin një sukses të ri në zgjedhjet që do të vijnë. Unë mendoj që afër 60% do të jetë LVV në zgjedhjet e ardhshme” dekalroi Thaqi.
Në lidhje me një deklaratë tillë ka folur deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Ai tha se deklarata të tilla për çështjen e zgjedhjeve nga deputetë dhe përfaqësues të Qeverisë, janë populiste, dhe për të dëmtuar pozicionin e partive të tjera.
Lekaj tha se pushteti në vend që të merret me punë merren me përqindje dhe kalkulime politike
“Deklaratat e Deputetëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë Kurti për çështjet e zgjedhjeve janë populiste dhe me prapavija për të dëmtuar pozicionin e partive tjera.Ky pushtet në vend që të merret me zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e cilësisë në arsim, krijimin e një sistemi të sigurt të shëndetësisë dhe sigurimeve shëndetësore, hapjen e vendeve të reja të punës, krijimin e kushteve për investimeve të jashtme, mirëqenien e qytetarëve etj, ata po merren me përqindje dhe kalkulime politike që si dhe sa mund të fitojnë pushtet në të ardhmen” tha Lekaj.
Deputeti i AAK-së, Lekaj, tha se ka një zhgënjim të madh me Qeverinë gjatë këtyre katër viteve dhe se të njëjtit do të marrin shpërblimin e merituar në kutinë e votimit.
“Qytetarët, bizneset, punonjësit publik, pensionistët, diaspora jonë, bujqit dhe të gjitha kategoritë e tjera, janë të zhgënjyer thellë me formën dhe mënyrën e Qeverisjes Kurti për këto 4 vite.Pritet që kjo Qeveri të marrë shpërblimin e merituar në kutinë e votimit, kurdo që mbahen zgjedhjet. Prandaj do të kemi befasi dhe do të kundërargumentohen teoritë koti të deputetëve të VV-së për rezultatet e ardhshme zgjedhore” deklaroi Lekaj.