Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë të premten ka marrë vendim që të kufizohet orari i punës deri më datën 20 korrik, për gratë shtatzëna dhe për punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë.
Përkundër vendimit që është marrë ditën e premte, në disa qytete ka vazhduar të punohet në sektorin e ndërtimtarisë.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, në një deklaratë ka thënë se kanë ndaluar punën në disa lokacione në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
“Ne jemi sot në terren duke mbikëqyr se a po respektohet vendimi që është nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi bërë ndalimin e punës në disa lokacione në Prishtinë, në lagjen Dardania, Qendër dhe në Lagjen e Muhaxherëve. Gjithashtu edhe në disa subjekte juridike në Prishtinë, kemi hasur gratë shtatzëna duke punuar, kemi kërkuar nga punëdhënësit e tyre që t’i lirojnë menjëherë në shtëpi”, tha ai.
Nikçi tha se inspektorët gjenden edhe në rajonet tjera, ku bëri të ditur se po ashtu kanë ndaluar punën në ndërtimtari në Pejë dhe Prizren.
Kryeinspektori pohoi se ditën e hënë do të shqiptohen gjobat për subjektet dhe kompanitë që nuk e respektojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Më poshtë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.
2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.
3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.
4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.
6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.
Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.
Këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta kanë dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
IKSHPK ka kërkuar që qytetarët të shmangin daljet jashtë dhe po ashtu të mos bëjnë aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.