Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar javën e ardhshme për t’iu drejtuar udhëheqësve evropianë në Pallatin Blenheim, të cilët po takohen për të diskutuar për Ukrainën, sigurinë evropiane dhe demokracinë.
Në po të njëjtën konferencë do të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, bashkë me liderët e disa vendeve joanëtare të BE-së, përfshirë Norvegjinë, Islandën, Gjeorgjinë, Shqipërinë, Turqinë dhe Serbnë, megjithëse Recep Tayyip Erdogan, presidenti turk që nuk mori pjesë në samitet e mëparshme, nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Osmani këtë e ka paralajmëruar me anë të një postimi në platformën X, në takimin që e pati me presidentin francez, Emmanuel Macron, në margjinat e Samitit të NATO-s në Washington.
Konferenca e së enjtes është takimi i katërt i Komunitetit Politik Evropian, një kolektiv i nisur pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 që ishte ideja e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Është parë si një mundësi “shumë domethënëse” për kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer që jo vetëm të presë deri në 50 liderë evropianë, por të rivendosë besimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe t’i tregojë botës se vendi është kthyer në skenën ndërkombëtare pas viteve të dëmtimit të reputacionit të shkaktuar nga Brexit.
EPC është krijuar për të lehtësuar forcimin e lidhjeve midis liderëve të BE-së dhe atyre që nuk janë në BE në një mjedis joformal, me konferenca të mëparshme të mbajtura në Spanjë, Moldavi dhe Republikën Çeke.
Ukraina do të dominojë në diskutimin plenar me liderët, të cilët më pas do të ftohen të bashkohen me tre grupe pune të përqendruara te mbrojtja dhe demokracia, të cilat do të përfshijnë sesione mbi krizën e dezinformimit, energjinë dhe migracionin.
Siguria e samitit është e rreptë me kufizimet e hapësirës ajrore mbi pallatin Oxfordshire midis 14 dhe 18 korrikut. Dronët e policisë dhe shërbimi ajror i policisë do të zbatojnë hapësirën e kufizuar ajrore, sipas policisë së Luginës së Thames, shkruan The Guardian.