“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre. Policia e kryen punën e vet. Nuk ka najfarë telashe”.
Kështu deklaroi dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për Dukagjinin kur u pyet për tre të arratisurit e fundit nga Kosova, si Enver Sekiraqa, Marko Roshiq dhe Faton Hajrizi.
Për ministrin Sveçla, Sekiraqa e Roshiq nuk janë të arratisur por vetëm Faton Hajrizi.
Sipas tij, Hajrizi u arratis nga burgu, ndërsa Roshiq e Sekiraqa nuk iu përgjigjën organeve të drejtësisë kur u kërkuan.
Arratisje për Sveçlën, por për zv.ministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu nuk po cilësohet e tillë.
Në një konferencë për media sot, Sallahu tha se Faton Hajrizi nuk është arratisur nga burgu por është larguar.
Sipas tij, kur ka ikje nga institucioni i tipit të hapur quhet “largim” dhe jo “arratisje”.
Njësoj deklaroi edhe për Ujkan Metajn, për të cilin Shërbimi Korrektues mbrëmë konfirmoi largimin nga burgu i Dubravës gjashtë ditë pasi Faton Hajrizi, u arratis nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë.
Ai ka theksuar se këto institucione nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë, sepse qëllimi është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit.
“Kemi tipe të mbyllura ku siguria është e lartë dhe tipe të hapura ku ka privilegje të shumta, ku si shkak i sjelljeve të mira janë të gatshëm për riintegrim. Largimi nga institucioni i mbyllur nënkupton arratisje, nga i hapur konsiderohet largim. Vlen të theksohet se të njëjtit që janë larguar nga institucioni i tipit të hapur i humbin të gjitha privilegjet që kanë pasur deri më tani dhe kur kapen kthehen në të mbyllur. Do iniciohet vepër penale e re”, ka deklaruar Sallahu.
Madje ai ka thënë se largime e arratisje pati në të kaluarën, ka aktualisht e mund të ketë edhe në të ardhmen.
Pas ngjarjeve të ndodhura së fundi, ai ka bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi ta marrin raportin e Inspektoratit do të marrin vendimet adekuate.
“Inspektoriati gjendet në vendin e ngjarjes, duke kryer inspektime, sapo të pranojmë raportin, do merren veprime adekuate”, ka vijuar Sallahu.
Mbrëmë ShKK ka konfirmuar ikjen e Ujkan Metajt nga burgu duke njoftuar se kjo “ikje” ka ardhur nga institucioni i tipit të hapur.
56 të burgosur janë gjithsej janë arratisur nga burgjet e Kosovës ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e vikendit jashtë.