56 është numri i të burgosurve që janë arratisur, larguar dhe nuk janë kthyer nga vikendi në Institucionet Korrektuese të Kosovës, në periudhën kohore nga viti 2007 deri më tani. 27 prej tyre nuk janë kthyer nga vikendi, 12 të tjerë janë larguar, derisa të tjerët janë arratisur në mënyra të ndryshme.
Kështu u tha sot në një konferencë për media e thirrur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
Duke iu referuar rasteve të fundit të arratisjeve nga burgu të Faton Hajrizit dhe të burgosurit tjetër me inicialet U.M, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u arsyetua se këto ikje kanë ndodhur si shkak masave jo të larta të sigurisë në Institucionet Korrektuese, pasi ata kanë qenë në tipe të hapura.
Ai tha se të burgosurit që mbajnë dënimet në llojin e tipeve të hapura të institucioneve, e kanë më të lehtë të shfrytëzojnë mundësinë për t'u arratisur.
Derisa përmendi këto arsye, ai tha se mund të ketë arratisje në vazhdimësi.
Sallahu tha se me kapjen e tyre, do tu largohen të gjitha privilegjet duke i kthyer në tipe te mbyllura me siguri të lartë dhe ndaj të njëjtëve do të iniciohet procedurë penale.
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se nga viti 2007 deri tani 56 të burgosur janë arratisur, larguar dhe nuk janë kthyer nga vikendi.
Ai tha se disa prej tyre janë kthyer vullnetarisht dhe disa të tjerë janë arrestuar, për çka tha se nuk ka të dhëna të sakta rreth këtyre.
Edhe Dibrani potencoi se masat ndaj të burgosurve në tipe të hapura dhe lehtësirat që ata kanë, po ndikojnë në arratisjet e tyre.