Zv.ministri i drejtësisë e SHKK-ja nuk i cilësojnë arratisje dy ikjet e fundit nga burgu

Aktuale

Zv.ministri i drejtësisë e SHKK-ja nuk i cilësojnë arratisje dy ikjet e fundit nga burgu

Më: 13 korrik 2024 Në ora: 11:35
Blerim Sallahu

Zv.Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj nuk janë arratisur nga burgu por janë larguar.

Sipas Sallahut, kur ka ikje nga institucioni i tipit të hapur quhet “largim” dhe jo “arratisje” pasi sipas tij nuk ka mbikëqyrje të sigurisë së lartë për shkak të privilegjeve që të burgosurit gëzojnë pas “sjelljeve të mira” që tregojnë.

“Kemi tipe të mbyllura ku siguria është e lartë dhe tipe të hapura ku ka privilegje të shumta, ku si shkak i sjelljeve të mira janë të gatshëm për riintegrim. Largimi nga institucioni i mbyllur nënkupton arratisje, nga i hapur konsiderohet largim. Vlen të theksohet se të njëjtit që janë larguar nga institucioni i tipit të hapur i humbin të gjitha privilegjet që kanë pasur deri më tani dhe kur kapen kthehen në të mbyllur. Do iniciohet vepër penale e re”, ka deklaruar Sallahu.

Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, ka thënë se Hajrizi dhe Metaj e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të vikendit në shtëpi kur janë larguar.

“I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar prej 25 vitesh, ai ka përfunduar 1/2 e dënimit në vitin 2012 dhe sipas legjislacionit në fuqi i dënuari i cili kalon 1/2 e dënimit, ka të drejtë ta kalojë vikendin në shtëpi. I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar vikendin në shtëpi por është rikthyer në burg”, ka deklaruar Dibrani.

Ndërsa për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj tha se ishte i dënuar më 11 vjet burgim pas i njëjti kishte ndihmuar Kamer Metajn të kryejë grabitje në një bankë në Istog, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Izet Demaj si dhe grabitësi i bankës.

“Po ashtu i dënuari tjetër (Ujkan Mataj) ka qenë i dënuar më 11 vite dhe i njëjti në janar të këtij viti e ka fituar të drejtën për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi”, ka vijuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat