Fituesi i zgjedhjeve në Bujanoc, Arbër Pajaziti, thotë se janë partitë serbe ato që vendosin për kryetarin e ri të Komunës, pasi që sipas tij, tri partitë tjera shqiptare nuk po duan të komunikojnë me fituesin e zgjedhjeve.
Pajaziti tha se partitë shqiptare e kanë injoruar ftesën e tij për takim.
Ai është shprehur i gatshëm të bëjë koalicion me cilën do parti politike.
“Partitë shqiptare kanë refuzuar të bisedojnë me mua. Nuk janë shprehur që janë kundër një marrëveshjeje me fituesin e zgjedhjeve, por e kanë injoruar ftesën tonë. Ne i kemi ftuar në takim partitë serbe të cilët kanë qenë tri lista dhe një rome. Jemi të gatshëm më këdo me bërë koalicion”, thotë Pajaziti.
Pajaziti thotë se shkaku i mos realizimit të takimit me partitë shqiptare është për shkak një marrëveshjeje të cilën e ka refuzuar.
Sipas Pajazitit, partitë serbe janë ata të cilët do ta vendosin kryetarin e komunës.
“Ata po refuzojnë se po thirrën me një marrëveshje që e kanë nënshkruar në Këshillin Nacional që ka qenë parazgjedhore për koalicion pas zgjedhor që unë kam refuzuar ta nënshkruaj atë marrëveshje. Partitë serbe janë ata të cilët do ta vendosin kush do të bëhet kryetar komune apo si do të duken institucionet e reja lokale”, vlerësoi ai.
Tri partitë politike në Bujanoc, Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia Demokratike dhe Partia për Veprim Demokratik para zgjedhjeve kanë nënshkruar një marrëveshje se cila prej tyre fiton më së shumti vota në zgjedhje do të udhëheq më Komunën. Mirëpo, një marrëveshje të tillë kishte refuzuar ta nënshkruajë Pajaziti, i cili fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.