Ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se beson që në raportin mes serbëve dhe shqiptarëve nuk përflitet kurrë për procese ekonomike dhe sociale normale, sepse çdo gjë është politike.
Duke folur për çështjen e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në procesin e regjistrimit të popullsisë, ai shtoi se edhe vetë ky proces tek ta ka shumë më tepër konotacion politik sesa ekonomik, integrues dhe demografik.
“Në këtë drejtim besoj që është një bojkot i determinuar apo i dirigjuar nga jashtë, mirëpo në fund të fundit, humbësit më të mëdhenj do të jenë vetë banorët apo qytetarët e këtyre komunave, sepse varësisht nga numri i regjistruar do të ketë projeksione buxhetore, dhe ju e dini që në fund të vitit ka dëgjime buxhetore, që në bazë të kërkesave dhe numrit të punëtorëve vendoset se sa do të jetë buxheti i alokuar për investime”.
“Prandaj besoj që është një momentum që në njëfarë forme, tek faktori ndërkombëtar e zbeh rëndësinë e këtij procesi shumë të rëndësishëm të regjistrimit të popullatës, mirëpo besoj që është koha kur politika kosovare duhet të jetë aktive për të promovuar këtë realitet”, deklaroi Gërxhaliu në emisionin Info Magazine.
Më tej ai shtoi se vet fakti që kanë qenë më tepër se tremijë persona të kyçur në proces dhe vet fakti që kanë pasur strategji të njëjtë sikur komunat tjera për të bërë regjistrimin, beson që është një argument shumë i fuqishëm i politikës kosovare se ka qenë e gatshme të ketë gjithëpërfshirje, mirëpo edhe që në këtë drejtim është një mesazh që edhe më tutje dirigjimet nga Beogradi janë aktive dhe aktuale, që do të jetë dëm dhe pasojë për ta në aspektin kohor afatshkurtër, afatmesëm, por edhe afatgjatë.