Edhe gjatë ditës së sotme, nisur nga ora nëntë, do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi i sotëm gjyqësor i pason ditës së djeshme, që u shoqërua me një mori zhvillimesh në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Fillimisht, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, iu hoq kollarja që po barte në seancë.
“Z. Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, këtë kollare e ka pasur veshur edhe më herët në seanca të gjyqit, a mund të dimë pse ia kanë hequr?”.
Kështu iu drejtua Trupit Gjykues avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e cila njoftoi se ish-kryeparlamentari nuk u lejua të hyjë në sallë nga sigurimi me kollaren që e kishte veshur, kollare kjo zakonshme, me shenjën e flamurit kombëtar.
Kollarja e njëjtë, Krasniqit raportohet t’i jetë kthyer pasi përfundoi seanca.
Më pas, në seancë u dëgjua dëshmia e dëshmitarit Bislim Zyrapi.
Gjatë ditës, trupi gjykues njoftoi po ashtu se ka caktuar datën për shpalljen e aktgjykimit për lëndën e Pjetër Shalës.
Aktgjykimi në fjalë do të mbahet më 16 korrik, më fillim nga ora 14:00.