​Ambasadori Delfin Pllana ia dorëzon letrat kredenciale presidentit të Hungarisë

Aktuale

​Ambasadori Delfin Pllana ia dorëzon letrat kredenciale presidentit të Hungarisë

Më: 28 qershor 2024 Në ora: 08:00
​Ambasadori Delfin Pllana

Në një ceremoni solemne dhe me nderime të larta shtetërore e ushtarake, në pallatin presidencial “Sandor Palace”, ambasadori Delfin Pllana dorëzoi letrat kredenciale të akreditimit si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Budapest te presidenti hungarez Tamas Sulyok.

Ambasadori Pllana me këtë rast i përcolli presidentit Suloyk përshëndetjet më të ngrohta të presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë së Kosovës për Qeverinë e Hungarisë dhe popullin mik hungarez për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite për Kosovën.

Në takimin e veçantë me presidentin Suloyk, ambasadori Pllana nënvizoi përkrahjen e Hungarisë në ditët më të errëta të Kosovës, gjatë periudhës së shtet-ndërtimit dhe në procese të integrimit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, duke shprehur zotimin se do të punojë për fuqizimin e bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat ndërmjet dy vendeve mike.

Presidenti Suloyk i uroi mirëseardhje ambasadorit Pllana dhe familjes së tij duke nënvizuar se pret që raportet Hungari-Kosovë të avancojnë dhe prosperojnë në të gjitha fushat e në veçanti në ekonomi.

Pas përfundimit të ceremonisë, delegacioni u shoqërua nga Protokolli i Shtetit për në Sheshin e Heronjve ku ambasadori Pllana në shenjë respekti e nderimi vendosi kurorën me lule te monumenti i “Ushtarit të Panjohur”.

Delfin Pllana është emëruar kohë më parë në postin e ambasadorit të Kosovës në Hungari. Në vitin 2021, Pllana ishte në krye të punës në Ambasadën e Kosovës në Bullgari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat