Hyseni: S’mund të ketë dialog të mirëfilltë derisa BE ka tolerancë ndaj Serbinë

Aktuale

Hyseni: S’mund të ketë dialog të mirëfilltë derisa BE ka tolerancë ndaj Serbinë

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 18:20
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

Deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë me Serbinë, derisa Bashkimi Evropian vazhdon ta ketë të njëjtën tolerancë ndaj saj.

Hyseni tha se Serbia nuk ka interesim që as përmes dialogut të tregojë që është e orientuar kah perëndimi.

“Nuk mund të ketë ndryshe një dialog të mirëfilltë nëse nuk i qartësojmë pozicionet e shteteve aktuale e aq më pak nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta ketë të njëjtën tolerancë ndaj Serbisë dhe në të njëjtën kohë po flasim për një Serbi, e cila orientimin nuk e ka perëndimor”, tha ajo.

Hyseni tha se pala kosovare nuk mund të vazhdojë në dialog pa vënë kushte dhe kritere.

“Ne nuk mund të vazhdojmë në dialog pa vënë kushte dhe pa vënë kritere në të njëjtën kohë të fajësohemi për çfarëdo veprimi që ne bëjmë. Ani pse këto veprime thellë-thellë edhe vetë në Bashkimin Evropian kuptohet që janë të drejta dhe të duhurat”, deklaroi ajo.

Sipas saj, Serbia koordinohet me politikën e Rusisë dhe nuk është e interesuar të ndjekë rrugën drejtë BE-së.

“Serbia zakonisht koordinohet me politikën e Rusisë, zakonisht orientohen me politikanët që sot konsiderohen si autokratët më të mëdhenj të politikës në botë. Ndërkohë, që nuk kanë thjesht interesim që as nëpërmjet dialogut dhe as nëpërmjet veprimeve të tyre të tregojnë që janë të orientuar kah perëndimi dhe duan të ecin rrugës që çon drejtë Bashkimit Evropian”, deklaroi deputetja.

Gjatë ditës së djeshme, është paraparë që të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por që shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk ka pasur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat