​Selmanaj: Pushteti po synon t’i kapë segmentet kryesore të shtetit

Aktuale

​Selmanaj: Pushteti po synon t’i kapë segmentet kryesore të shtetit

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 14:49
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka akuzuar pushtetin se po synon të kapë tri segmente të rëndësishme të shtetit. Sipas tij, ata nuk mund të bëhen pjesë e një agjende ku votohen ligje kundër-kushtetuese, andaj edhe lëshuan sallën e improvizuar plenare të seancës së sotme. Deputeti opozitar tha se Projektligji për zyrtarët publikë, Projektligji për Këshillin Prokurorial dhe Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, cenojnë edhe rrugën euro-integruese të Kosovës.

Selmanaj paralajmëroi se në rast se miratohen nga mazhoranca, do t’i dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Selamnaj këto i tha në konferencën për medie të enjten.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një agjende e shumicës parlamentare që të votojë ligje ose të merr vendime që janë në shpërputhje të plotë shtetërore dhe rrugën tonë për integrime evropiane. Ne sot kishim në agjendë trajtimin e tri projektligjeve shumë të rëndësishme që prekin sistemin prokurorial, komisionin e pavarur të mediave që rregullon sektorin e mediave dhe ligjin për zyrtarët publikë që ka rreth 80 mijë shërbyes civil në Kosovë. Kemi një përpjekje të qartë të kësaj mazhorance që të kapë këto tri segmente të rëndësishme të shtetit”, tha ai.

Sipas tij, qasja e pushtetit për LDK-në, është kundër proceseve integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zotimeve kushtetuese të Kosovës.

“Kjo qasje për LDK-në është qasje kundër proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Madje është kundër edhe vet zotimeve tona kushtetuese, ku qysh në preambulë të kushtetutës thuhet se shteti i Kosovës ka synim të përfshihet në procese euro-integruese në BE. Sjellja sot e shumicës parlamentare duke votuar kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias, Zyrës së BE-së në Kosovë tregon se përpjekja për kapje është shprehurazi dhe qartazi”, shtoi Selmanaj.

Ai theksoi se tri projektligjet cenojnë rendë sistemin politik dhe shoqëror në Kosovë.

“Ne si LDK nuk do të lëmë institucion, mundësi kushtetuese pa shfrytëzuar se veprimet e tilla kundër kushtetuese t’i ndalojmë. Veprimi i radhës do të jetë që të drejtohemi përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Selmanaj.

I pyetur për pjesëmarrjen e sotme të deputetëve të Listës Serbe në seancë vetëm sa për t’u nënshkruar, Selamanaj urori që thirrja e seancës pas tri jave atë edhe në sallë të improvizuar mos të jetë vetëm për t’i dhënë mundësi deputetëve të Listës Serbe të mos humbasin mandatet.

“Nuk e di a ishte rastësi apo jo, por nëse sot nuk do të vinte Lista Serbe do t’i humbiste mandatet. Nuk e di me koordinim apo pa koordinim është mbajtur kjo seancë. Megjithatë uroj të jetë rastësi. Në anë tjetër ajo sallë nuk plotëson as kushtet minimale për punë”, tha Selmanaj.

Krahas kësaj, Selmanaj tha se paraqitja e djeshme e kryeministrit, Albin Kurti në Bruksel në kuadër të dialogut ishte taktizim për konsum të brendshëm.

“Taktizim i radhës i kryeministrit Kurti për konsum të brendshëm. Nuk është hera e parë qe zotëri Kurti vendos kushte, por pas një jave i shkel të gjitha”, tha Selmanaj pasi u pyet nga gazetarët për kushtet që Kurti i paraqiti dje në Bruksel për takim trilateral në dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat