Dy deputete nga Kosova pjesëmarrëse në konferencën ndërparlamentare në Mal të Zi, serbët lëshojnë mbledhjen

Aktuale

Dy deputete nga Kosova pjesëmarrëse në konferencën ndërparlamentare në Mal të Zi, serbët lëshojnë mbledhjen

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 13:19
Pamje nga konferenca

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe ajo e AAK-së, Time Kadrijaj kanë marrë pjesë në konferencë ndër-parlamentare me temën “Përfitimet e Procesit të Berlinit: Një fokus i veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal” e organizuar nga Instituti për Demokraci e Shoqëri Civile dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila është mbajtur dje në Petrovac të Malit të Zi.

Kjo konferencë ndër-parlamentare është zhvilluar në Petrovac të Malit të Zi ndërmjet deputetëve të parlamenteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me Procesin e Berlinit dhe gjendjen aktuale të tij në Ballkanin Perëndimor, si dhe për të diskutua për Tregun e Përbashkët Rajonal 2.0 – Çfarë ka funksionuar më parë dhe cilat janë sfidat e Planit të Veprimit dhe qëndrimet e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

Pas fjalimeve të delegacioneve nga Kosova Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, deputetët serbë të udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë, Snezhana Paunoviq, lëshuan konferencën rajonale në Petrovac të Malit të Zi.

Deputetja Blerta Deliu tha se në këtë konferencë nuk thanë asgjë që nuk dihet.

“Serbia është faktor destabilizues në rajon dhe se ajo duhet të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku”, ka shkruar Deliu në profilin e saj në Facebook.

Postimi i plotë i Blerta Deliut:

Pas fjalimeve të delegacioneve tona nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, deputetët serbë të udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë, Snezhana Paunoviq, lëshuan konferencën rajonale në Petrovac të Malit të Zi.

Në të vërtetë, ne nuk thamë asgjë që nuk dihet: Serbia është faktor destabilizues në rajon dhe se ajo duhet të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Këtë të vërtetë, por edhe shumë të tjera që ndërlidhin direkt presidentin Aleksandër Vuçiq, do t’ua themi në çdo takim të mundshëm.

Derisa Serbia po ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, siç ishte rezoluta e OKB-së për gjenocid në Srebrenicë, Kosova do të vazhdojë në rrugën e saj të paalternativë për anëtarësim në BE dhe NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat