​Veteranët dhe opozita kundër vendimit të Kushtetueses për pagën minimale, ja çfarë thonë nga pushteti

Aktuale

​Veteranët dhe opozita kundër vendimit të Kushtetueses për pagën minimale, ja çfarë thonë nga pushteti

Më: 26 qershor 2024 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë dhe opozitë e vlerësojnë të gabuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka dhënë të drejtë qeverisë. Derisa nga pozita thonë se në kuadër të Ligjit për veteranët në konsultim me ministritë e linjës duhet të dialogohet sa i përket mënyrave se si mund të zbatohen detyrimet ligjore ose provizionet që janë në kuadër të atij ligji.

Kryetari i OVL-së, Faton Klinaku, derisa thotë se do të protestojnë për këtë vendim, bënë thirrje gjithë veteranëve të ndëshkojnë më votë këtë qeveri, pasi që sipas tij, pushteti po vepron kundër tyre.

Klinaku për KosovaPress, thotë se Gjykata Kushtetuese nuk është dashtë të marrë këso vendime.

“Nuk është dashur Gjykata Kushtetuese të marr këso vendime, për shkak se qeveria me ligj i ka shkatërruar apo ndryshuar disa nga ato. Duhet të ketë parasysh edhe Gjykata Kushtetuese se kjo pastaj po bëhet një traditë e keqe, se vetëm kjo qeveri ka bërë një ligj dhe ka ndryshuar disa ligje, dhe të lejohen kështu edhe nga Kushtetuesja, që një pushtet siç është ky tashmë dhe ka shumicën në Kuvend dhe të keqpërdor pushtetin, një ditë ai mund të ja heq Kosovës pavarësinë dhe të thotë Gjykata se ka të drejtë... Qëndrimet tona janë të pandryshueshme, ne do të takohemi si organe drejtuese për format dhe kohen e protestave do të njoftojmë opinionin. Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës, është të mos e votojnë më këtë pushtet, sepse janë duke e parë që ka punuar vazhdimisht dhe punon kundër tyre”, tha Klinaku.

Të zhgënjyer nga ky vendim janë edhe veteranët e Shqipërisë. Veterani, Mustaf Maçi të cilit po ashtu i është ndalur kjo pagë për shkak të pensionit që merr atje, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e shoh shumë të gabuar, dhe bëjë thirrje Gjykatës mua si person të më thërrasin në Gjykatë, meqenëse po luan me veteranet e luftës, dhe jo vetëm Gjykata, por edhe Parlamenti”, thotë ai.

Në anën tjetër, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala shprehet se do të përkrah çfarëdo vendimi që merr OVL. Sipas tij, në mënyrë institucionale, urgjentisht dhe me kapacitetet maksimale financiare duhet të mbështetet kjo kategori.

Ai shton se qeveria është duke e diskriminuar vazhdimisht këtë kategori.

“Qeveria dhe institucionet e shtetit kanë obligim moral e ligjor që të mos vazhdojnë diskriminimin e Organizatave të Dala nga lufta, në mënyrë institucionale, urgjentisht dhe me kapacitetet maksimale financiare duhet të mbështetet kjo kategori. Qeveria është duke e diskriminuar këtë kategori që nga ardhja e saj në pushtet...Në mënyrë absolute do i përkrahi në çdo situatë kategoritë që janë të diskriminuara nga këto institucione”, thotë Shala.

Ndërkaq, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë se në konsultim me ministritë e linjës duhet të dialogohet sa i përket mënyrave se si mund të zbatohen detyrimet ligjore ose provizionet që janë në kuadër të atij ligji.

“Ky ligj i cili ka të bëjë me premtimin programor për rritjen e pagës minimale, dhe besoj se nga ky vendim, duhet të përfitojnë diku 88 mijë qytetarë, të cilët në kohën kur është miratuar e kanë pas rrogën nën 260 euro, dhe në këtë rast përfitimi kryesor janë sidomos për gjeneratat e reja ose vajzat të cilat e fillojnë karrierën për herë të parë dhe janë paguar më pak se punëtorët tjerë. Ndërsa, në anën tjetër në kuadër të ligjit për veteranët në konsultim me ministritë e linjës duhet po ashtu të dialogohet sa i përket mënyrave se si mund të zbatohen detyrimet ligjore ose provizionet që janë në kuadër të atij ligji”, thotë Muja.

Sot, gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale. Paga minimale nga 130-170 pritet të rritet në 250 euro me ligjin e ri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat