“Pa fajin e tij, pa menduar për pasojat…” - Aktakuzë ndaj Andi Pajazitit për vrasjen e vitit të kaluar në “Bon Vivant”

Aktuale

“Pa fajin e tij, pa menduar për pasojat…” - Aktakuzë ndaj Andi Pajazitit për vrasjen e vitit të kaluar në “Bon Vivant”

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

“…i pandehuri Andi Pajaziti pas goditjes, sulmit nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, pa fajin e tij, pa menduar për pasojat e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, shtinë me armë zjarri, me ç’rast godet tani të ndjerin K.R”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, më 4 gusht 2023, rreth orës 23:17 në lokalin “Bon Vivant” në Prshtinë, në të cilin paraprakisht ishte i pandehuri Dukagjin Lekaj i cili gjendet në arrati, së bashku me tani të ndjerin K.R., shkon i akuzuari Pajaziti, të cilin e fton Lekaj që të ulet në tavolinën ku ishte tani i ndjeri.

Aktakuza thotë se pasi që ulet Pajaziti dhe fillojnë të bisedojnë me Lekajn, pas pak fillon të tensionohet situata dhe duke parë që situata po tensionohet, afrohet sigurimi i lokalit Hisni Gecaj, i cili ia kapë dorën e djathë të pandehurit Lekaj dhe mundohet ta qetësojë situatën, por në këtë moment tani i ndjeri K.R., i cili ishte mbrapa sigurimit, e godet me një shishe në kokë dy herë tani të akuzuarin Pajaziti.

Sipas aktakuzës, sigurimi Gecaj vazhdimisht ia mban dorën Lekajt, kurse Pajaziti pas goditjes nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi dhe pa i menduar pasojat godet në drejtim të tani të ndjerit K.R.

Po ashtu, aktakuza thotë se armën e nxjerr nga çanta edhe i pandehuri Lekaj, gjatë kësaj kohe sigurimi ia mbante dorën duke u munduar t’ia largojë por nuk ka arritur, e Lekaj e kishte armën e drejtuar në drejtim të Pajazitit dhe shtie ndaj tij, duke i shkaktuar të akuzuarit Pajaziti lëndime të rënda në dorën e majtë.

Kurse, thuhet se vdekja e K.R., ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, këto të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Prandaj, për këto veprime Pajaziti po ngarkohet me veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” sipas nenit 174 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, Pajaziti për shkak se në vendin e njëjtë kishte mbajtur në pronësi armën e tipit “Smith” në kundërshtim me ligjin. Andaj, po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.

Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat