Bogujevci: Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit, rrugë njëkahëshe

Aktuale

Bogujevci: Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit, rrugë njëkahëshe

Më: 24 qershor 2024 Në ora: 23:25
Foto nga takimi

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, dhe në përbërje të anëtarëve, Arben Gashi, Enis Kervan, Ariana Musliu-Shoshi dhe Besnik Tahiri, ka takuar sot presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se në takim nënkryetarja Bogujevci falënderoi presidentin Theodoros Rousopoulos për lidershipin dhe angazhimin e tij shumë efektiv, si dhe për votën dhe mbështetjen e madhe që iu dha Kosovës në votimin në Asamblenë Parlamentare.

“Nënkryetarja Bogujevci theksoi se tanimë rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit është rrugë njëkahëshe dhe se ka mbetur vetëm edhe një hap për t'u përmbyllur një mision, që është fisnik e i drejtë për qytetarët e Kosovës, pa dallim. Tutje, ajo tha se bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me këtë institucion do të vazhdojë të thellohet, në veçanti do të intensifikohet pas anëtarësimit që presim të ndodhë me një vendim të drejtë të Komitetit të Ministrave", thuhet në komunikatë.

Ndryshe, delegacioni gjatë këtij sesioni do të zhvillojë takime edhe me personalitete dhe anëtarë të delegacioneve të tjera pjesëmarrëse, si dhe takime me krerët e Grupeve Politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat