I detyroi të paguajnë 240 mijë për t’i marrë vet 40 mijë, si u zbulua angazhimi i të dyshuarit nga grupi i fajdexhinjve

Aktuale

I detyroi të paguajnë 240 mijë për t’i marrë vet 40 mijë, si u zbulua angazhimi i të dyshuarit nga grupi i fajdexhinjve

Më: 24 qershor 2024 Në ora: 15:12
Ilustrim

Grupi kriminal i kapur pas aksionit të javës së kaluar në Pejë nën dyshimet për veprimtari të kundërligjshme të fajdes, detyrimit e rrëmbimit ka përfunduar në paraburgim. Të shtunën u mbajt seanca ndaj katër të dyshuarve Idriz Hajrizi,

Valbona Pakashtica, Irfan Pakashtica dhe Anes Pakashtica, të cilët janë hetuar për disa muaj me radhë derisa u ndërmor operacioni për arrestimin e tyre.

Dosja e Prokurorisë ka nxjerrë në pah shumë detaje për mënyrën e jashtëligjshme se si ka vepruar ky grup, që u zbulua edhe me aplikimin e masave të veçanta hetimore.

Ndër pikat që Prokurori i Shtetit e ka mbështetur kërkesën e ushtruar për masën e sigurisë janë edhe disa transkripte dhe raporte, që përfshijnë biseda mes të dyshuarve, si dhe mes tyre e personit të dëmtuar.

Sipas provave të grumbulluara, dy të dyshuarit Irfani dhe Anesi kanë planifikuar të tërheqin të holla në mënyrë ilegale nga banka të ndryshme, duke krijuar kartela elektronike.

Përveç kësaj, në raportin që ka dalë nga përgjimet në muajin shkurt, Idriz Hajrizi është angazhuar nga të dyshuarit e tjerë që t’i detyrojë viktimat për t’ia dhënë 240 mijë euro, 40 mijë prej të cilave do t’i takonin atij.

“Raporti 15 ditor i përgjimit të telekomunikimeve për periudhën 01 shkurt 2024 deri më 15 shkurt 2024, ku ndër të tjera ceket se si të pandehurit kanë angazhuar Idriz Hajrizin që përmes detyrimit të ia marr 240 mijë euro të dëmtuarve dhe 40 mijë euro do të jenë të Idrizit. Po ashtu këtu ceket se i pandehuri Anes është duke planifikuar krijimin e kartelave elektronike që me tërhekë para nga bankat. Po ashtu ceket se si i pandehuri Idriz është angazhuar në këtë vepër penale dhe si do t’i detyrojë të dëmtuarit të kryejnë këtë pagesë.”– thuhet tutje.

Pagesa prej 240 mijë eurove për 120 mijë euro të dhëna me fajde është përmendur edhe në një bisedë në mes të dyshuarit Anes Pakashtica dhe viktimës.

Komunikimi mes tyre ka zbuluar se si viktima i ka thënë të dyshuarit se shuma është rritur, teksa ai ia kthen se vlera prej 240 mijë eurove është e “tejrespektueshme dhe me të njofshëm” – duke u shtirur se gjoja po i bëjnë nder.

Ndryshe, Prokuroria ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, për shkak se të pandehurit Irfan dhe Valbona Pakashtica gjatë aplikimit të masave hetimore kishin planifikuar që të largoheshin nga Kosova, të shisnin pasurinë dhe të shpërnguleshin jashtë, e po ashtu edhe i pandehuri Idriz Hajrizi, për një kohë kishte jetuar jashtë Kosovës.

Kërkesa u aprovua nga Gjykata dhe si rezultat, katër të dyshuarve iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat