Ata që tensionuan situatën në veri s’janë më në Kosovë, flasin qytetarët, analistët e njohësit e sigurisë

Aktuale

Ata që tensionuan situatën në veri s’janë më në Kosovë, flasin qytetarët, analistët e njohësit e sigurisë

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 08:58
Veriu i Kosovës

Qytetarët serbë gjendjen e përgjithshme të sigurisë në veri e vlerësojnë “të rëndë”, sidomos prej ardhjes së kryeministrit Albin Kurti në pushtet. Analistët thonë se tashmë në këtë pjesë të vendit është arritur të krijohet një ambient tepër pozitiv, ndërsa njohësit e sigurisë e përshkruajnë situatën si të qetë, por të brishtë.

Një qytetar nga veriu i Mitrovicës që nuk deshi të identifikohej, tha për KosovaPress se prej ardhjes së kryeministrit Kurti gjendja e sigurisë në veri është “katastrofale”. Sipas tij, situata e qetë në veri nuk krijohet “duke drejtuar tytat e armëve të gjata ndaj popullatës serbe”.

Qytetari serb: Nëse në veri nuk është mirë, nuk do të jetë as në jug

“Situata e sigurisë në veri është katastrofale. Jo vetëm pas rastit të Banjskës, por prej qe Kurti ka ardhur në pushtet. Nuk mundet ai që në veri secilit t’ia drejtojë pushkën dhe të jetë situatë e mirë. Nëse këtu nuk është mirë, nuk do të jetë mirë as në pjesën jugore, këtu mirë, edhe atje do të jetë mirë… Pa pushkë duhet të jetë paqe dhe së bashku të jetojmë serbët e shqiptarët në Kosovë qysh kemi jetuar deri tani… Kjo tani në veri është katastrofë, sot katastrofë e vogël, nesër më e madhe dhe çdoherë e më shumë’, ka thënë ai.

Analisti Branisllav Kërstiq, theksoi se për gjashtë muajt e fundit nuk është shënuar asnjë incident ndëretnik në veri dhe se tashmë atje është krijuar një ambient tepër pozitiv. Ai ka bërë të ditur se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke kryer punët e tyre në mënyrë shumë korrekte dhe profesionale.

Kërstiq thotë se e vetmja gjë që iu pengon serbëve në veri janë punktet e kontrollit pothuajse në çdo dhjetë kilometra, andaj serbët në atë pjesë të Kosovës po ndihen sikur janë të arrestuar kolektivisht. Ai shton se është në pritje të hapjes së urës kryesore të Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve, ndërsa tha se qytetarët nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar.

Kërstiq: Komunikacioni nëpër rrugët e veriut tani është më i sigurt

“Tash kemi një atmosferë dhe ambient tepër pozitiv. Komunikacioni nëpër rrugë është më i sigurt, policia e komunikacionit është duke kryer në mënyrë korrekte obligimet e saj. Ende serbët e veriut e kanë ndjenjën se të gjithë janë të arrestuar, sepse në botë askund nuk ekzistojnë në çdo dhjetë kilometra bunkerët, patrullat, kontrollet, dhe kjo është diçka që i shqetëson qytetarët. Por, nëse flasim për një të ardhme, jam i sigurt se nuk do të kemi tensione tepër serioze, për gjashtë muajt e fundit nuk kemi pasur asnjë incident ndëretnik, si dhe policia i ka shuar ata djelmosha dhe patriotë të rinj shqiptarë, të cilët kanë ardhur në veri për të provokuar. Jo, sepse policia në këtë drejtim tepër mirë dhe në mënyrë pozitive e ka zgjidhur këtë problem. Tani për tani jemi në pritje të hapjes së urës që është diçka normale dhe jam i sigurt se nuk kemi asnjë arsye për ndonjë shqetësim”, sqaroi analisti Kërstiq.

Në anën tjetër, Arben Dashevci, njohës i çështjes së sigurisë, situatën e përgjithshme e përshkruan të qetë, por të brishtë dhe me mundësi tensionimi. Ai nuk pret tensionim të situatës nga brenda, sepse siç tha, ka një vetëdijesim të madh të qytetarëve të përkatësisë serbe, por edhe shqiptare në këtë rast. Në aspektin e jashtëm, shtoi ai, brishtësia, ose tentim eskalimi apo tensionimi i situatës, gjithmonë do të rrezikohen vetëm nga Serbia.

Dashevci: Ata që e kanë tensionuar situatën nuk janë më në Kosovë

‘Situata… është e qetë, gjithmonë në aspektin e sigurisë po qëndron stadi i portokalltë që do të thotë është e brishtë me mundësi të tensionimit… Nuk ka më kush ta tensionojë Republikën e Kosovës në aspektin e brendshëm, sepse ka një vetëdijesim të hatashëm të qytetarëve të përkatësisë serbe dhe shqiptare në këtë rast, kurse në aspektin e jashtëm brishtësia, ose tentim eskalimi, tensionimi, gjithmonë do të na vijë vetëm nga Serbia… Asgjë më nuk ka mundur të jetë e njëjtë pas 24 shtatorit, sepse pas kësaj gjërat në aspektin e sigurisë nuk ndryshojnë çdo muaj, por çdo ditë, duke pasur parasysh gjeopolitikën në Ukrainë, tentimin e Rusisë në Ballkan së bashku me aleatin e saj Serbinë, andaj Kosova po mbrohet shumë mirë, gjithmonë me aleatët tonë ndërkombëtarë, specifikisht me SHBA-të si aleati ynë i përjetshëm… Gjatë nëntë muajve të fundit nuk kemi asnjë incident ndëretnik, mund të shkosh matanë urës së Ibrit të pish kafe ku të duash, të bësh tregti, gjithmonë pranë do ta kesh policinë e Kosovës, si në uniformë, rroba civile. Pra është një relaksim i paparë, sepse ata të cilët e kanë tensionuar situatën dhe që kanë qenë makthi i popullatës… nuk janë më në Republikën e Kosovës dhe nuk do të vijnë më kurrë… Pa asnjë dyshim, qytetarët serbë, por edhe të komuniteteve tjera, kanë besim të plotë në policinë e Kosovës’, u shpreh Dashevci.

Ndryshe, agresioni i strukturave paramilitare serbe më 24 shtator 2023 në Banjskë, dëshmoi edhe njëherë brishtësinë e arkitekturës së sigurisë në Ballkan, veçanërisht në vazhdën e politikës dhe kërcënimit që buron nga hegjemonia serbe. Kjo bëri që Policia e Kosovës ta rrisë praninë e saj në mbarë veriun e vendit, duke shtuar vigjilencën dhe numrin e forcave të Njësisë Speciale edhe përreth brezit kufitar me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat