​Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

Aktuale

​Sulmi në Banjskë, Qorrolli kritikon Prokurorinë Speciale për vonesa në ngritjen e aktakuzave

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 11:40
Vigan Qorrolli

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, kritikon Prokurorinë Speciale se po vonohet në ngritjen e aktakuzave për autorët e sulmit terrorist në Banjska më 24 shtator 2023. Sipas tij, një vonesë e tillë është e pajustifikueshme pasi ka prova dhe incizime për aktakuza ndaj përgjegjësit Milan Rardoiçiq dhe të tjerëve.

Qorrolli në një intervistë për KosovaPress thotë se po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Krahas kësaj, ai flet për mundësitë e miratimit të kodit civil dhe largimin e masave ndëshkuese nga BE-ja.

Qorrolli: E pakuptueshme vonesa për ngritjen e aktakuzës për Banjska

“Është çështje e institucioneve ligjzbatuese dhe të atyre të prokurorisë që të bëjnë një përmbledhje të të gjitha fakteve dhe më pas organet kompetente siç është Prokuroria Speciale që të bëjë të gjithë grumbullimin e provave dhe më pas ngritjen e aktakuzave. Ne kemi pritur që prokuroria të bëjë një reagim më të shpejtë dhe të ketë një efikasitet në trajtimin e këtij rasti terrorist, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës. Por edhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur indinjatën e tyre për rastin e Banjskës. Sigurisht ne presim që në periudhën në vijim të ketë ngritje të aktakuzave. Ky zinxhiri i organeve ligjzbatuese duhet të reagojnë në një mënyrë më të shpejtë në mënyrë që të prodhohet drejtësi... Meqenëse rasti ka qenë tronditës atëherë prokuroria e shtetit nuk do të duhej që të priste maksimumin e këtij afati që e ka të parashikuar në ligj, por do të duhej më shpejt. Sigurisht që ka një vonesë dhe për ne mbetet e pakuptueshme si e tillë”, thotë Qorrolli.

Qorrolli thotë se po shikojnë mundësinë që Shqipëria ta deponojë padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Qorrolli: Po punojmë çdo ditë mbi padinë për gjenocid ndaj Serbisë

“Kosova do të bëjë të gjitha përgatitjet dhe është duke bërë çdo ditë përmes Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, Ministrisë së Drejtësisë dhe mekanizmave të tjerë institucional. Aktualisht ju e dini se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është palë e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne po shikojmë mundësinë që eventualisht një shtet, si Shqipëria të deponojë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne kemi diskutuar mirëpo duhet të ketë një vendimmarrje institucionale, parlamenti dhe qeveria e Shqipërisë”, deklaron Qorrolli.

Sa i përket miratimit të kodit civil, Qorrolli thotë se ai do të procedohet në Kuvend në momentin kur të arrihet konsensusi.

Qorrolli: Kodi civil procedohet kur të arrihet konsensusi politik

“Ne do të procedojmë në momentin kur të arrihet konsensusi. Aktualisht s’ka konsensus. Kërkesa e kryeministrit Kurti, por edhe imja ka qenë që kjo të bëhet në kuptimin mbi politik. Të këtë përfshirje edhe të opozitës, jo që LVV-ja nuk i ka votat apo ka disa dilema të deputetëve që tashmë janë publike. Në kuadër të kësaj, siç ka bërë pas takimit të Kurtit me liderin e PDK-së për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare në parlament, atëherë besoj se do të ketë konsensus edhe për Kodin Civil”, tha Qorrolli.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, zëvendësministri Qorrolli i quan të padrejta dhe jo-proporcionale, teksa shprehet optimist se ato do të largohen në tërësi deri në vjeshtë pavarësisht paralajmërimeve të BE-së se ato do të largohen në mënyrë të pjesshme dhe graduale.

Qorrolli: Masat ndëshkuese të BE-së të largohen në tërësi në vjeshtë

“Mungesa e konsensusit brenda shteteve anëtare ka bërë që masat të hiqen në mënyrë graduale. Shpresojmë që deri në vjeshtë, pasi e dimë se jemi në stinën e verës, pastaj korriku dhe gusht, Brukseli ndodhet në “vdekje klinike” dhe vendimmarrja do të pushojë. Shpresojmë se deri në vjeshtë të gjitha masat të eliminohen, ndonëse ato kanë qenë jo-proporcionale dhe të padrejta”, tha Qorrolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat